Erozioni i tokës shqetëson banorët e Ksovrastit
Në mungesë të një programi institucional, për mbrojtjen e fshatit Kosovrast të Dibrës nga erozioni, banorët e këtij fshati, kanë ndërmarrë një aksion për mbjelljen e një mijë fidanëve për të parandaluar rrëshqitjen e dheut.
Pjesa kodrinore mbi fshat, një luginë e rrëpirët , është pjesa erozive dhe më e rrezikshme për fshatin Kosovrast. Ortekët e dheut gjatë dimrit dhe në kohëra me shi, shpesh kanë bllokuar rrugën për në banjat e Kosovrastit.
Banorë te fshatit Kosovrast kanë ndërmarrë vetë iniciativë për të mbjellë fidanë si masë mbrojtëse ndaj erozionit të tokës.
“Bashkësia vendore dhe banorët mbollën fidanë bagremi. Duke u nisur me aksione të këtilla duhet potencuar se kanë mbetur traditë e banorëve të fshatit tonë. Në aksion ishin të përfshirë të rinjtë sepse tereni ku ata mbollën bagremë ishte i rrezikshëm. Në këtë mënyrë ne e mbrojmë fshatin nga erozioni”, deklaroi Axhija Kurtovski, kryetar i bashkësisë vendore.
Sipas tij aksionet e këtilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen sepse kjo është mundësia e vetme për të mbrojtur tokën nga erozioni , theksoi ai.