BE: Shqipëria përballet me sfida, duhet dialog politik dhe reforma

Takimi i shtatë i Këshillit të Stabilizim- Asociimit BE-Shqipëri në Bruksel, nën kryesimin e Edgars Rinkevic, Ministër i Jashtëm i Letonisë, vend i cili mban presidencën aktuale të Këshillit të BE-së, la disa porosi për vendin tonë.

Këshilli vuri në dukje arritjet e Shqipërisë në plotësimin e kritereve politike për anëtarësim, në luftën kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, si dhe në reformën në drejtësi.

U konstatua se pavarësisht arritjeve, Shqipëria përballet me sfida të rëndësishme dhe duhet të intensifikojë reformat në pesë fushat parësore, sidomos ato që kanë të bëjnë me shtetin ligjor dhe sundimin e së drejtës në ekonomi.

Po ashtu, Këshilli i Stabilizim- Asociimit theksoi se dialogu politik konstruktiv e gjithëpërfshirës midis forcave politike në vend është i domosdoshëm për qëndrueshmërinë e reformave shtet ndërtuese.

Në lidhje me kriterin ekonomik, Këshilli i Stabilizim- Asociimit vuri në dukje zbatimin në mënyrë të kënaqshme të një pjese të madhe të projekteve të asistencës dhe impenjimin e autoriteteve shqiptare në përgatitjen e IPA II.

Në fjalën e tij, Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati shprehu përkushtimin e palës shqiptare në përmbushjen e masave dhe kritereve të identifikuara bashkërisht me Komisionin Europian në udhërrëfyesin për pesë prioritetet kyçe. Ai theksoi gjithashtu se “procesi i anëtarësimit ofron një orientim si për zbatimin e reformave shtet ndërtuese ashtu dhe për sipërmarrjen në ekonomi”.

bushati delegacioni BEMinistri Bushati vlerësoi se, në këtë kontekst, “Ne do të mirëprisnim dakordësimin e një kalendari hapash konkrete që do të çonte drejt një rekomandimi pozitiv të Komisionit për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Kjo qasje graduale do të ndihmojë ritmin e reformave dhe ruajtjen e motivimit të administratës”.

Ministri tha më tej se zhvillimet më të fundit në rajon kanë dëshmuar qartë se ngrirja e proceseve integruese në Ballkanin perëndimor mbart rreziqe për stabilitetin e rajonit.

Siaps tij, në kontekstin e sfidave gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, është e nevojshme që BE-ja të japë një mesazh politik të qartë për forcat politike reformuese në rajon.

Në fund të takimit, pas shkëmbimit të pikëpamjeve mbi situatën në Ballkanin Perëndimor, Këshilli vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë për stabilitetin në rajon, si dhe linjëzimin e qëndrimeve të Shqipërisë me vendimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Gjatë konferencës për shtyp, komisioneri Johannes Hahn shprehu besimin se “Shqipëria do të vijojë progresin e qëndrueshëm në rrugën e saj drejt BE-së”.

Komisioni Evropian u përfaqësua në këtë takim nga Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjermit Johannes Hahn, ndërsa delegacioni shqiptar, në përbërje të të cilit ishin Ministrja e Integrimit Evropian Klajda Gjosha dhe Kryetarja e Komisionit parlamentar të Integrimit Evropian dhe e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, u kryesua nga Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati.

Këshilli i Stabilizimi – Asociimit mblidhet një herë në vit për të bërë një analizë të imët të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit si dhe për të shqyrtuar ecurinë e reformave kyçe në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë./NOA/

Lajme të ngjashme

Back to top button