Dje Kosova, sot Kumanova. Po nesër?

Dikur shqiptarët pranonin e guxonin të hidheshin dhe në zjarr vetëm e vetëm për ta ndërtuar e ringritur shtetin helen. Dikur shqiptarët shërbenin edhe si ruajtës të deleve e të kullotave të Vatikanit. Quheshin si çobanë të tyre. Dikur shqiptarët i besuan më shumë sllavëve sesa vetës. I bënë udhëheqës me kurorë në kokë princërit sllavë duke i lejuar ata të udhëheqin në tokat e tyre arbërore. Dikur në Arbëri kështu ishte e kështu ndodhte. Ata harruan ta ndërtonin shtetin e tyre. Harruan ta ndërtonin vetën.

Dje në Kosovë, sot në Kumanovë. Kjo sot e Kumanovës është shembull i së djeshmes së Kosovës. E shembulli i së djeshmes së Kosovës është e sotmja e Kumanovës. Një Zot e di çfarë mund të ndodhë nesër. E nesërmja mund të jetë si sot e si dje.

Është thelbësore ta kuptojmë se problemi është historik e shekullor, jo momental sikurse po e gjykojmë sot. Duhet të gjykohet e djeshmja për të kuptuar të sotmen e të gjykohet e sotmja për të kuptuar më mirë të djeshmen. Ndërsa shqiptarët ende sillen njëlloj si dikur. Dhe dikur silleshin si sot. Ajo çfarë më bren më shumë përbrenda është se ne sikur kurrë nuk kemi pasur qëllim në vete e për vete. Sikurse qëllimi ynë ka qenë qëllimi i tjetrit, e qëllimi i tjetrit ka qenë qëllim ynë.

Dikur shqiptarët kishin pak kohë të merreshin me vetën. Ndërsa sot, të tjerët kanë shumë kohë të merren me ne. Ndonjëherë nuk e kuptonim se me kë e për kë luftonim. Nuk kuptonim as se cili ishte qëllimi i kësaj lufte. Nuk e dalluam dot armikun nga miku.

Miku na u bë armik e armiku na shfaqej si mik. Kurrë askënd nuk sulmuam e nuk pushtuam, ama lufta s’na u nda. Të gjithë na u sulën, pa i shpallur kurrë luftë askujt. Ja, pra. Problemi është historik e jo momental. E këto sekuenca fatkeqe janë përsëritur e përsëritur e vetëm janë përsëritur gjatë procesit të krijimit të kombit tonë historik e shekullor. Aq të shpeshta kanë qenë saqë në shumë raste ka qenë e vështirë ti ndash nga njëra-tjetra. Duken sikur vijnë në vazhdimësi, pa u ndalur, pa na lënë të marrim frymë. Sot këto momente po ndodhin prapë si dikur. A ndoshta kurrë s’kanë reshtur së ndodhuri. Ne kemi pasur dhe kemi vetëm dy probleme që në fillesat tona. Të parët janë sllavët (serbomëdhenjtë). Sllavët dhe sot e kësaj dite na mohojnë historinë. Sllavët historikisht po na vrasin e ne historikisht nuk po mësojmë nga historia vrastare e tyre. Problemi i dytë jemi ne. Ne historikisht, me një naivitet që s’është parë e s’ka për t’u parë, i kemi pranuar në shtëpitë tona. E ata dashakeqësisht na kanë refuzuar.

Ne po harrojmë që jeta duhet jetuar nga fillimi i historisë e jo nga fundi i saj. Megjithatë, vonë nuk është ende për të kuptuar fillimin, që fundi të jetë i mirë e i lumtur. Por ne, në vend që të mësojmë nga gabimet, po këmbëngulim në to. E historia na mëson se ne shqiptarët nuk po mësojmë asgjë nga historia.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button