Karrigen e Avokatit të Popullit e synojnë 26 kandidatë

Njëzetegjashtë kandidatë janë futur në garën për Avokatin e Popullit, në konkursin e tretë që nga përfundimi i mandatit të avokatit aktual, Sami Kurteshi, më 4 qershor të vitit të kaluar.

Disa prej kandidatëve në konkursin e ri, janë ata që kanë qenë edhe në konkursin e kaluar, por ka edhe të tjerë që konkurrojnë për herë të parë.

“Ne i kemi 26 emra. Mund ta them me gojën plot se nga 26 mund të gjendet një avokat i mirë që mund ta kryejë punën shkëlqyeshëm. Mendoj se edhe deputetët pak më zellshëm do të shfletojnë biografitë e tyre, në mënyrë që ta bindin veten që ta përzgjedhin dh eta votojnë njerin prej tyre”, tha për Radio Kosovën, Lirije Kajtazi, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut.

Konkursi për Avokatin e Popullit është mbyllur më 7 maj, ndërsa Kajtazi thotë se tashmë është formuar paneli intervistues. Javën e ardhshme duhet të hapen aplikacionet e kandidatëve dhe do të vendoset se kur do të fillojë intervistimi. Kajtazi thotë se do të punojë edhe me shefat e Grupeve Parlamentare, në mënyrë që mos të dështojë sërish zgjedhja e Avokatit të Popullit.

Opozita i fajëson partitë e koalicionit për dështimin e deritashëm. Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, e cila është anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, thotë se është shqetësues fakti që Kuvendi nuk arrin ta zgjedh Avokatin e Popullit për kaq kohë.

“Partitë në pushtet e kanë këtë barrë dhe thjesht ato po e bllokojnë procesin. Sepse, mospjesëmarrja e deputetëve dhe mosvotimi i kandidatëve për Avokat të Popullit, për gati një vit, është me të vërtetë shqetësim”, tha Haxhiu për Radio Kosovën.

Ky është konkursi i tretë për Avokatin e Popullit. Edhe konkursi i fundit dështoi sikur ai i vitit të kaluar për të njëjtën arsye: asnjëri kandidat nuk arriti t’i marrë shumicën e votave të deputetëve, pra së paku 61 vota.

Lajme të ngjashme

Back to top button