Rivarrimi, Rama sherr me kosovarët për eshtrat e Boletinit
Pas vendimit që Isa Boletini të rivarroset në Vlorë, në Mitrovicë u mbajt dje një tubim. Ishin te pranishëm kryetari i Komunes, Agim Bahtiri, historianë e përfaqësues të organizatave, si dhe familjarë të heroit. Bahtiri u tha të pranishmwve se nuk do të lejojë që gjenerali Isa Boletini të dërgohet në Vlorë. Në emër të Lidhjes së Historianëve, Enis Kelmendi, tha se “nuk kemi asgjë kundër Vlorës, por Isa duhet të prehet aty ku lindi, u rrit dhe ku mbrojti çështjen shqiptare”. Ne takim kane folur edhe analisti Nexhmendin Spahiu, kusheriri i Boletinit, Riza Peci, prof. Asllan Istrefi, etj. Tjetër reagim ka ardhur nga ish presidenti Fatmir Sejdiu, që tha se eshtrat e I. Boletinit duhet të varrosen në Kosovën e lirë dhe institucionet e Kosovës duhet të korrigjojnë vendimin dhe të mos i dërgojnë eshtrat e Boletinit në Vlorë.
Ka reaguar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj në Facebook, ku shkruan se “Kulla e Isa Boletinit në Boletin të Mitrovicës i ka rezistuar të gjitha stuhive të vështira nëpër të cilat ka kaluar kombi ynë. Ajo nuk është vetëm kullë. Kulla e Boletinit është simbol i luftës tonë kundër tkurrjes së trojeve tona. Eshtrat e Isa Boletinit janë pjesë e rëndësishme e testamentit që ruan kjo kullë ndër breza dhe aty duhet të rivarrosen”, shkruan Haradinaj.
Serbët peticion: Jo rivarrosjes së Boletinit në Mitrovicë
Vendimi i parë për rivarrosjen në vendlindje të Isa Boletinit u njoftua zyrtarisht nga ministri i Kulturës së Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, pas takimit premtues me familjarët Boletini. Por, gati 100 vjet pas vrasjes së Isa Boletinit, përfaqësuesit e serbëve në veri nuk kanë lejuar që eshtrat e tij të varrosen në në Boletin, komuna e Zveçanit, Mitrovicë, ku gjenden edhe kullat e Boletinëve. Pas përfundimit të ekspertizës për vërtetësinë e eshtrave, që u konfirmua në Strasburg, pas tre vitesh ekzaminime, problemi i rivarrimit bëhet prag-konflikti ndërtenik në Mitrovicë. Përfaqësuesit e serbëve atje kanë premtuar se janë të vendosur të mos lejojnë varrimin e eshtrave të Isa Boletinit në oborrin e kullës së rindërtuar në Boletin.
Serbët kanë paraqitur këtë deklaratë: “Vetë paralajmërimi dhe dëshira që trupi i një njeriu, i cili ka qenë njëri prej udhëheqësve të kryengritjes balliste në Kosovë e Metohi dhe i cili ka kryer krimet mbi popullin serb, të përcillet këtu në Ditën e Flamurit të Shqipërisë, më 28 Nëntor, për ne është i papranueshëm dhe shqetësues. Populli serb në Kosovë nuk duhet të brengoset, sepse përfaqësuesit e serbëve nuk do të lejojnë që ajo të ndodhë, do të përdorim të gjitha mjetet demokratike që këtë ta ndalojmë”.
Deklarata është bërë nga Jabllanoviq. Përfaqësia serbe ka kontaktuar me misionet ndërkombëtare në Kosovë, duke iu tërhequr vëmendjen. Pas kësaj qeveria e Kosovës vihet përballë një zgjidhjeje të re, që siç duket është bërë për të shmangur ndezjen e një konflikti të ri mes shqiptarëve dhe serbëve.
Vendimi nuk ndryshon, Isa Boletini rivarroset në Vlorë
Rama-Thaçi, argumentojnë vendimin në takimin me familjarët e heroit pas refuzimit të serbëve për varrimin e eshtrave në Boletin të Mitrovicës
Vendimi i qeverisë së Kosovës për ceremoninë e caktuar më 28 Nëntor 2014 për rivarrosjen e eshtrave të Isa Boletinit në vendlindje, në Boletin të Mitrovicës, u ndryshua për shkak të reagimit kundër të shumicës serbe në Mitrovicë.
Përfundimisht, eshtrat e Isa Boletinit do të rrivarrosen në qytetin e Vlorës më 10 qershor përkrah Ismail Qemalit. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi e bënë të ditur këtë fakt pas takimit që patën në Tiranë me familjarët e Heroit Kombëtar. “Isa Boletini do të prehet pranë Ismail Qemalit në Vlorë, përmes ceremonisë së merituar dhe e pamundur për ta shumë vite e vite. Në bashkëpunim mes dy qeverive tona është mirëpritur dhe pranuar nga familja dhe nga qeveria e Kosovës”, tha kryeministri Rama, duke theksuar ndër të tjera se “Data e përcaktuar për të kryer ritualin kombëtar, për të përcjellë eshtrat e Heroit tonë nuk ndryshon, është 10 qershor dhe rrugëtimi do të kryhet nëpërmjet të gjithë trojeve të Kosovës dhe Shqipërisë deri ku gjithë ceremonia të përmbyllet në sheshin e Pavarësisë dhe Isa Boletini të prehet pranë vëllait, mikut dhe bashkëluftëtarit të tij Ismail Qemali”. Kryeministri Rama ka shprehur bindjen se qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës po bëjnë gjënë e duhur. “Së bashku me Isa Boletinin do të vijnë në Vlorë edhe eshtrat e bashkëluftëtarëve të tij të vrarë në të njëjtin moment së bashku, që do të prehen në Varrezat e Dëshmorëve në Vlorë”, u shpreh Rama.
Zv.kryeministri i Kosovës, Thaçi, e kosideroi marrëveshjen si mesazhin e një perspektive bashkuese e integruese për kombin shqiptar. “Sot është një ditë e veçantë për Kombin shqiptar, sepse konfirmojmë mendimin e dy qeverive me idenë e zotit Rama që eshtrat e Boletinit të prehen në Vlorë, në qytetin e Pavarësisë, ndaj sot jemi këtu bashkë si dy qeveri, me vendimin edhe të familjes Boletini me itinerarin që vetë Isa Boletini e bëri për t’iu bashkuar idealit, qëllimit të pavarësisë së trojeve shqiptare…” u shpreh ndër të tjera Thaçi.
Kush ishte Isa Boletini
Misteri i vrasjes me gjithë familjen nga malazezët
Isa Boletini u lind në Boletin, Mitrovicë (15 janar 1864). Në rini u aktivizua me lëvizjet për liri. Në 1881-shin mori pjesë në betejën e Shlivovës: trupat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u ndeshëm me ushtrinë osmane. Në 1908-n ishte në krye të qëndresës, kur Porta e Lartë dërgoi një ushtri prej 7 mijë ushtarësh për të nënshtruar Kosovën. Gjatë 1909-s, Boletini udhëhoqi kryengritjet e kosovarëve dhe ishte ndër udhëheqësit kryesorë të kryengritjes së përgjakshme të pranverës 1910, në Carralevë, ku ushtritë osmane që po hynin në Kosovë. Gjatë Luftës Ballkanike të 1912-s, u vu në mbrojtje të qeverisë së parë shqiptare me Ismail Qemalin deri në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Ishte anëtar i delegacionit shqiptar që shkoi në Londër për mbrojtjen e Shqipërisë së pavarur.
Në 1914-n mbrojti qeverinë e Princ Vidit. Pas kësaj iu desh të luftonte me malazezët. Isa Boletini u vra bashkë me 7 nga njerëzit e tij në Podgoricë, mbi Urën e Moraçës, më 23 janar 1916. Ngjarja ndodhi kur ushtria malazeze po shtinte në dorë Shkodrën. Knjaz Nikolla vendosi që krerët e lëvizjes kundër tij t’i internonte në Podgoricë, mes tyre edhe Isa Boletinin me 40 përkrahësit e tij. Fillimisht e çuan në Nikshiç e më pas në Danillovgrad. Boletini nisi të shpresonte në përpjekjen e francezëve për ta nxjerrë nga Shkodra, por përfundoi pa rezultat. Në janar të 1916-s, ushtritë austro-hungareze po depërtonin në territorin malazez dhe më 20 janar 1916 malazezët vendosën të transferojnë kosovarët në Podgoricë. Tri ditë më vonë ndodhi tragjedia. 80 xhandarë malazezë i kishin zënë pusi te ura e Ribnicës.
Në një ndeshje të përgjakshme u vra Isa Boletini me me bijët e tij, Halilin e Seidin, me nipërit Jonuz e Halil Boletini, me kunatin Hajdar Radishevën dhe kushërinjtë Idris islimin e Misin Balën.
…….
Vendimi
Të dyja qeveritë, e Shqipërisë dhe e Kosovës në marrëveshje me familjarët e Heroit Kombëtar, Isa Boletini, dhe familjarëve të bashkëluftëtarëve të tij u vendos që eshtrat e Heroit Kombëtar Isa Boletini dhe të bashkëluftëtarëve të tij të kohës do të rivarrosen në Vlorë, me 10 qershor 2015./Shqiptarja/