Policia nuk lejoi mbulimin e përmendores së car Dushanit me pëlhurë të zezë

Qetësisht mbaroi protesta kundër vendosjes së përmendores së car Dushanit në Shkup e lajmëruar për sot. Policia nuk i lejoi protestuesit ta vendosin pëlhurën e zezë mbi përmendoren.

“?hirrjen për protestën e sotme e bëra haptas dhe ja ku jam haptas para gjithë juve, ndërsa ata që ndërtojnë tinëz edhe rrënojnë tinëz. Meqë ditëve të kaluara u krijua një gjendje amullie e mospranimi i autorësisë së kësaj përmendoreje, e mora këtë iniciativë thjesht personale e qytetare që, përmes kësaj, ta kuptojmë saktë dhe qartë se kush e ka vendosur këtu këtë beton të quajtur Car Dushan. Këtë do ta bëjmë duke e mbuluar përmendoren me pëlhurë të zezë të turpit dhe ata që do ta zbulojnë, do t’i konsiderojmë si autorë të vendosjes së përmendores.
Paskëtaj mund të diskutojmë se kujt i shërben kjo që Qeveria e Republikës së Maqedonisë të iniciojë vendosjen në sheshin e Shkupit të një sundimtari, i cili nëse jo te maqedonasit, së paku te shqiptarët perceptohet si sundimtari që me dhunë i detyronte shqiptarët katolikë të bëheshin serbë dhe ortodoksë, ndërsa ata që nuk pranonin i vriste në formën më të keqe. Kjo i bie që kështu kjo qeveri i ka ofenduar më shumë se 25% të qytetarëve të saj. ” tha oganizatori Afrim Gashi duke i falënderuar të gjithë ata që e përkrahën atë.

**************************************************************************
Thirrja për protestë të qetë në orën 12 para përmendores së car Dushanit ende vazhdon. Qytetarët që ngritën këtë iniciativë distancohen nga ngjarjet e mbrëmshme ku një grup qytetarësh tentuan për ta rrëzuar përmendoren e car Dushanit.

“Të nderuar qytetarë, thirrja ime për protestë sot para përmendores së Car Dushanit vazhdon. Unë do të shkoj sot në orën 12.00 aty, sepse Car Dushani mund ta ketë vendin në Serbi, në Ambasadën e Serbisë në Shkup, por jo në sheshin e Shkup. Megjithatë, mbrëmë dikush paska bërë tentim për rrëzimin e përmendores. Prandaj jam i detyruar të them se unë nuk kam lidhje me atë grup dhe nuk qëndroj pas atij akti. Thirrja ime është krejt paqësore dhe jo tinëzare. Për këtë arsye mbetem ende në qëndrimin tim se duhet ta bëjmë një protestë, që kështu ta zbulojmë se kush e ka vendosur atë përmendore aty dhe ta shfaqim qëndrimin tonë në lidhje me atë përmendore. Por, dëshiroj të vë në pah, secili që këtë protestë e orienton në pista të tjera, e shfrytëzon për të qëllime të tjera, qoftë politike ose të tjera të errëta, nuk do të jetë mik i imi aty dhe nuk është i mirëseardhur. Agjenda e ime është kjo: në orën 12.00 të jemi para përmendores, ta mbulojmë me pëlhurën e zezë të turpit, të qëndrojmë gjysmë ore në shenjë revolte dhe të shpërndahemi në mënyrë të qetë. Efekti do të jetë ky: ata që do t’ia heqim pëlhurën përmendores, ata janë vendosësit e saj, ndërsa ne kështu e kemi bërë punën tonë qytetare për ta shprehur qëndrimin tonë. Gjithçka që është jashtë kësaj agjende, nuk është “Afrim Gashi”. Ju lutem për mirëkuptim! Mirupafshim në shesh në orën 12.00”, informojnë iniciatorët e protestës.

Nga sektori për punë të brendshme në Shkup thonë se nuk ka pasur ndonjë lajmërim për protesta por sidoqoftë afër përmendores sot do të ketë prani të policisë dhe se ajo do të intervenojë nëse situate del nga kontrolli.

Lajme të ngjashme

Back to top button