Kuvendi i Kosovës refuzon të debatojë për gjendjen në Maqedoni

Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, në emër të kësaj partie ka propozuar që Kuvendi i Kosovës të debatojë në lidhje me situatën e fundit në Maqedoni, ku mbetën të vrarë dhe u arrestuan disa shqiptarë, në mesin e tyre edhe nga Kosova.

Kjo nuk ka marrë votat e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës, raporton Koha.net. Në votim, 50 kanë qenë kundër debatit, 28 pro e pesë kanë abstenuar.

Adem Grabovci i PDK-së, ka thënë se deputetet e kësaj partie nuk janë kundër debatit për Maqedoninë, por ka thënë se kjo nuk duhet të bëhet pa qenë e qartë dhe me më shumë informata se çka realisht ka ndodhur atje.

I të njëjtit mendim ka qenë edhe Ismet Beqiri, shef i grupit parlamentar të LDK-së. Por Glauk Konjufca e ka quajtur hipokrizi këtë qasje të shumicës. Ai ka thënë se janë “lot krokodili” këta të deputetëve të shumicës, që po thonë se duan të flasin por se nuk paskan informacione.

“Edhe sa lagje duhet t’i djeg Gruevski për të pasur nevojë që të debatohet”, ka thënë ai. “Në anën tjetër, kjo është në kundërshtim me atë që thuhet, për arsye se Qeveria e Kosovës ka thënë se i ka të gjitha informacionet. Dhe ne ato po i duam, sepse këtu është vendi që të diskutohen ato informacione”, ka thënë Konjufca. Kështu ka menduar edhe Donika Kadaj – Bujupi e AAK=së.

“Është pikërisht sot dita kur duhet të debatohet dhe diskutohet, sepse bëhet fjalë për një dhunë të shfrenuar që është ushtruar nga një makineri e tërë që nuk jepte kurrfarë informatash”, ka thënë shefja e deputetëve të AAK-së.

Ajo ka thënë se ministri i Brendshëm duhet të tregoj se çfarë di, përfshirë edhe në këtë seancë. Zafir Berisha i Nismës për Kosovën, ka thënë se gjendja është tepër emergjente, dhe Kuvendi i Kosovës si insticuioni më i lartë duhet të ketë një qëndrim zyrtar, raporton Koha.net.

“Reagimi përmes rrjeteve sociale është joserioz dhe shpërfillje e bashkëkombasve tanë. Ajo është edhe çështje e jonë, jo pse është shtet fqinj, por se bëhet fjalë për bashkëkombas tanë”, ka thënë Berisha.

Ai ka pasur një thumb për ministrin e Puënve të Brendshme, Skender Hyseni.  “Me u kujdes për sigurinë e shtetit nuk është njësoj sikur me bo muzikë”, ka thënë Berisha.

Lajme të ngjashme

Back to top button