BESA: Musa Xhaferi dhe Bujar Osmani të ndiqen penalisht për këto vepra

Lëvizja BESA, nga përgjimet e sotme, vetëm e ka konfirmuar bindjen se arsyeja pse BDI-ja i tradhton aq poshtër interesat shqiptare dhe se janë pikërisht zyrtarët e saj të lartë të kapur në vepra të rënda kriminele.

Në reagimin e Lëvizjes BESA, theksohet se sot dolën në shesh krimet financiare të zv/kryeministrit Musa Xhaferi, i cili për hesape të veta personale ose partiake, mbulon krim financiar disamilionësh.

Sipas Lëvizjes BESA, natyrisht çmimin e kësaj pastaj e kanë paguar shqiptarët e Maqedonisë, sepse secili shërbim i Naçallnikut logjikisht ka nënkuptuar dëme për popullin shqiptar në Maqedoni.

“Dhe, dëmet e tilla tashmë i ndjejmë të gjithë e çdo ditë, ndërsa një dëm të tillë e përjetuam të shtunën në Kumanovë. Ndërkaq, nga publikimi tjetër del qartë se cili ka qenë misioni i ish-ministrit të Shëndetësisë, tash zëdhënës i BDI-së, Bujar Osmani, i cili ka vjedhur hiç më pak se 400 mijë euro. Ky përgjim vetëm e ka përdëftuar se cila ka qenë detyra e këtij ministri në Qeveri. Sot u kuptua se ky kuadër ‘shpresëdhënës’ i BDI-së e ka pasur edhe një rol tjetër – të vjedhë sa më shumë pasuri publike”, theksohet në komunikatë.

Në vazhdim, theksohet se nisur nga kjo, Lëvizja BESA pret që ditëve në vijim, Musa Xhaferi dhe Bujar Osmani të bartin përgjegjësi penale për këto veprime, ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim ta bartë barrën politike si parti që pushtetin e saj e përdor për të vjedhur e për të përfituar financiarisht zyrtarët e saj, ndërsa gjithë kjo kthehet në dëm për popullin shqiptar në Maqedoni.

“Nëse dikush ka pasur akoma dilema se pse 153 mijë vota për BDI-në përkthehen në vjedhje, vrasje e tradhti kombëtare dhe pse para disa ditëve përsëri shqiptarët ishin viktima, sot e ka marrë këtë përgjigje”, thuhet në fund të reagimit të Lëvizjes BESA.

Lajme të ngjashme

Back to top button