Heroi Kombëtar Isa Boletini rivarroset në Vlorë në 10 qershor
Eshtrat e Heroit Kombëtar, Isa Boletini, do të rivarrosen në qytetin bregdetar të Vlorës, në 10 qershor.
Këshilli Organizativ për organizimin e ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të Heroit Kombëtar Isa Boletini, me propozimin e të dyja qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës si dhe pajtimin e familjarëve të Heroit Kombëtar Isa Boletini dhe familjarëve të bashkëluftëtarëve të tij prezent në takim, vendosi që eshtrat e Heroit Kombëtarë Isa Boletini dhe të bashkëluftëtarëve të tij të kohës do të rivarrosen në Vlorë, me 10 qershor 2015.
Këshilli Organizativ do të vazhdojë punën në përgatitjet e ceremonisë së rivarrimit sipas axhendës së mëparshme, bën të ditur njofimi i sapodërguar nga Ministria e FSK-së.
Isa Boletini lindi në kullën e Boletinëve, afër Mitrovicës, më 15 janar 1864. Vitet e rinisë i kaloi në vendlindje. Në prill të 1881 mori pjesë në betejën e Shlivovës, ku u ndeshën trupat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me ushtrinë osmane.
Gjatë Luftës Ballkanike të 1912-s, ishte një ndër kryetarët më në zë të çetave në Kosovë. Në nëntor 1912, u vu menjëherë në mbrojtje të qeverisë së parë shqiptare, asaj të Ismail Qemalit. Ishte anëtar i delegacionit shqiptar që shkoi në Londër për të mbrojtur ekzistencën e Shqipërisë së porsakrijuar. Në 1914 trupat e tij mbrojtën qeverinë e Princ Vidit.
Isa Boletini u vra bashkë me shtatë nga njerëzit e tij në Podgoricë, mbi Urën e Moraçës, më 23 janar 1916.