“Zona të vdekura” në Atlantik

Shtresa të ujit të detit me mungesë të madhe oksigjeni, të cilat shtrihen edhe deri në 160 kilometra, dhe nuk mund të mbështesin asnjë formë jete, janë gjetur në oqeanin Atlantik, kanë treguar hulumtimet më të reja shkencore.

Hulumtuesi nga GEOMAR Helmohltz, qendra për hulumtime oqeanike në Kiel të Gjermanisë kanë zbuluar rajone me nivele habitshëm të ulëta të oksigjenit disa qindra kilometra nga bregu i Afrikës perëndimore. Studimi i botuar në revistën Biogeosciences, përshkruan rajone përplot vorbuj të cilët lëvizin nëpër Atlantik, nganjëherë më muaj, shkruan Independent.

Grupi i hulumtuesve, të udhëhequr nga dr. Johannes Karstensen tërheqin vërejtjen se “vorbujt po lëvizin drejt perëndimit, rreth katër deri pesë kilometra më ditë, nga vendi i krijimit drejt oqeanit të hapur”.

Të ashtuquajturat “zona të vdekura” më së shpeshti mund të gjenden në ujëra të cekëta, si liqene apo afër bregut të detit. Mirëpo, lëvizja rrethore e vorbujve, të gjetur në Atlantik, pamundësojnë ndërrimin e ujit, kështu që oksigjeni në ta shpejt shpenzohet.

– Rotacioni i shpejtë i vorbujve e vështirëson këmbimin e oksigjenit nëpërmjet kufirit të rrotullimit të rrymës dhe të oqeanit. Po ashtu, një cirkulim i ujit krijon shtresa të cekëta, deri në disa dhjetra metra thellësi, të cilët mbështesin rritje të fuqishme të bimëve – shpjegon Karstensen. Pasojë e kësaj është që oksigjeni brenda vorbullit shpejt shpenzohet, sepse algat e shpenzojnë për rritjen e tyre.

Lënë anash dëmin, i cili në këtë mënyrë i shkaktohet faunës së oqeanit, Karstensen parashikon se “zonat e vdekura” mund të ndikojnë në banorët e ishujve të Kepit të Gjelbër.

– Duke pasur parasysh se disa “zona të vdekura” të cilat i kemi vëzhguar gjenden më pak se njëqind kilometra nga arkipelagu i ishujve të Kepit të Gjelbër, nuk është e pamundur që këto “zona” të përfshijën edhe këtë rajon – thotë dr. Karstensen. /InfoGlobi

 

Lajme të ngjashme

Back to top button