Shënime për populizmin: Të jesh Gordana Jankullovska

Nuk e kam numëruar, mirëpo thuajse jam i sigurt se gjatë nëntë viteve të kaluara, Jankullovska dhe MPB-ja kanë mbajtur më shumë konferenca për shtyp në krahasim me ministritë e tjera të Gruevskit. Në cilin vend tjetër normal dhe me të vërtetë demokratik të botës, ministri i policisë, me vite është personi më i eksponuar mediatik në opinion? Diçka patjetër duhet të jetë e kalbur në Danimarkën e tillë.

 

Shkruan: Sasho Ordanoski

 

Tashmë është më se e qartë se njëri nga projektet kryesore të Nikolla Gruevskit pas marrjes së pushtetit në vitin 2006 ka qenë që Ministrinë për Punë të Brendshme ta shndërrojë në firmë të madhe, private, për sigurimin e interesave dhe operacioneve të familjes. Projekti ambicioz për privatizimin e këtij institucioni të rëndësishëm shtetëror i është besuar njeriut më të afërt të Gruevskit, kushëririt Sasho Mijallkov (Tashmë edhe nuk është me rëndësi a ka qenë e kundërta: a ka qenë Gruevski njeriu më i afërt i Mijallkovit që e ka fituar besimin të jetë kryeministër i vendit; etj.). Fitohet përshtypja se për një dekadë jo të plotë, sikur asnjëherë deri më tani, që nga koha e okupimeve të huaja xhandare të Maqedonisë, janë mbrehur të gjitha potencialet organizative dhe profesionale të MPB-së – dokumentuese, hetuese, për ndjekje dhe analizë, për ngatërresa të çdo lloji – për interesat afariste dhe politike të familjes. Ndonjë forenzikë e ardhshme politike dhe juridike me siguri do të tregojë se me këtë është mundësuar operacion me përmasa gjigante për marrjen e bizneseve të huaja, ndërhyrje dhe reketime të individëve dhe të firmave të vendit dhe të huaja, kurdisje të tenderëve, keqpërdorime në bursë, shfrytëzim të kanaleve bankare dhe kanaleve të tjera financiare për transaksione parash, mirëpo edhe për veprime klasike kriminale në fushën e keqpërdorimeve dhe falsifikimeve zgjedhore, shantazhe politike, kurdisje e proceseve gjyqësore, shkatërrim ose marrje e kontrollit të partive kundërshtare politike, etj. Në qoftë se interesat e familjes ndonjëherë janë përputhur me interesin publik – mirë; kur interesat e familjes kanë qenë në dëm të interesit publik – aq më keq për qytetarët.

“Kurora” e keqpërdorimeve fantastike, si rrjeti i qëndisur shumë mirë i peshkatarëve, që është hedhur mbi gjithë shoqërinë, është instalimi i sistemit të përgjimit, i blerë me para popullore, për të cilin ekspertët e kësaj teknologjie më bindin se ka potencial për ndjekje të 300.000 numrave telefonikë. Megjithatë, askush nuk është i përkryer: qoftë për shkak të dembellëkut ose për shkak të sabotazhit të dikujt, operacioni për përgjim ka arritur deri te një numër modest prej vetëm 26.000 numrash të përgjuar. Dështimi është i madh. Për shembull, fakti (së paku nga ajo që është publikuar deri tani nëpërmjet “bombave të Zaevit”) se janë përgjuar vetëm gjashtë ambasadorë të huaj, pa dyshim e ka vënë në rrezik gjithë sistemin e keqpërdorimit të pushtetit. Pakujdesi e madhe e ekipit të Mijallkovit.

Paralelisht me këtë kontratë të madhe privatizuese të MPB-së, me pasoja shkatërruese për institucionet e demokracisë dhe të shtetit juridik, krejtësisht janë paaftësuar ose janë neutralizuar të gjitha instancat tjera shtetërore, të cilat, sipas të gjitha kompetencave, kanë mundur që ta pengojnë operacionin e madh kriminal të familjes. A ka dëgjuar dikush diçka, me vite të tëra, për punën e Policisë financiare, të Drejtorisë për parandalimin e larjes së parave, të Komisionit shtetëror për luftën kundër korrupsionit, të Prokurorisë publike etj.? Sot, de facto, shumica e këtyre institucioneve pothuajse edhe nuk ekzistojnë, përveç si servis i pushtetit dhe në nivel të ndërtesave dhe të administratës së partizuar me mijëra veta që janë vendosur në to, të trajnuar në seminare të panumërta si të mos e kryejnë punën.

 

GRUA? GJENIALE!

Mirëpo, që në fillim, një aspekti të këtij perverzioni demokratik dhe juridik, me të drejtë, i është kushtuar vëmendja kryesore: kush të bëhet ministër për punë të brendshme, që ky njeri të jetë kamuflazh i bindshëm, një lloj “fshati i Potemkinit”, që do ta tërheqë vëmendjen nga operacioni i ndërlikuar kriminal? Ky njeri është dashur të jetë dikush që para opinionit vendor dhe të huaj do të dukej paksi naiv dhe jo aq inteligjent, relativisht i paditur dhe i parrezikshëm, mirëpo edhe kooperativ, që të mos shkaktojë dyshime të mëdha dhe nervozë te bashkëbiseduesit. Kuptohet, kushdo që do të zgjidhej do të duhej të ishte i kontrollueshëm dhe lojal ndaj familjes, i gatshëm për dëgjueshmçri të pakontestueshme. Me fjalë të tjera, dikush që jo vetëm, me entuziazëm nuk do ta kryejë punën, por sipas nevojës me kënaqësi dhe “sipas kushtetutës dhe ligjit”, do t’i shkelë të gjitha pengesat ligjore për keqpërdorimet që i praktikon familja.

Sipas informatave të mia nga rrethi i ngushtë i familjes, dikush me inteligjencë u ka propozuar – mua kjo më ngjason me mënyrën e të menduarit të një Protugjeri – ai njerë të jetë… grua.

“Gjeniale!”, ka bërtitur Gruevski.

Zgjedhja ka qenë Gordana Jankullovska. Në atë e kohë e pamartuar, me karakter të fortë dhe me cinizëm politik që janë tipike për një grua pa obligime nëne, për të cilën partia, e jo familja, është më e rëndësishme në jetë – partia, në fakt, është familja e saj, edhe pse jo krejtësisht në kuptim të familjes – Jankullovska është dukur si kandidati ideal. Ajo posedon referenca formale, mirëpo relativisht të papërcaktuara, të arsimit dhe të përvojës. Ka lojalitet dhe frikërespekt të verifikuar ndaj udhëheqësit të madh që nga promovimi i tij i hershëm politik – edhe pas dhjetë vitesh të kaluara me të, ajo në mungesë të tij, për “Kryetarin” flet me frikë dhe në formën – Ju. Disponon edhe me tolerancë të demonstruar për kontrata të dyshimta që nga koha kur ishin në opozitë, në “Analitiko”. Shembull shkollor për burokrate, e cila është në gjendje, me buzëqeshje të ftohtë nën mustaqe dhe me kondicion të pafund për mbajtur mbledhje, ta vrasë edhe mendjen më kreative rreth saj. Kurtizana politike me dëshirë “të brendshme” që të jetë e rrethuar me burra të cilëve do t’u pëlqejë jo vetëm me anë të gatishmërisë për të shërbyer, por edhe do t’i befasojë duke demonstruar qëndrueshmëri më të madhe se ata. Në fakt, një feminiteti të tillë burrëror, nuk e di, veshja dhe syzet – apo e kundërta, ia shpalosin karakterin. Një hermafrodite politike, morale dhe intelektuale, sikur e krijuar për operacionin e fshehjes së veprimit kriminal të shekullit të familjes.

Me të vërtetë gjeniale.

 

PLUMB MEDIATIK I GOMËS

Megjithatë, nga disa qindra biseda të përgjuara telefonike që u publikuan deri tani (“të prera, të ngjitura, të montuara, të krijuara”), të qarta janë indikacionet se Jankullovska i ka tejkaluar edhe pritjet më optimiste të familjes. Edhe atë nuk e kam fjalën për “operën e sapunit” me bisedat që i zhvillon ajo me shoqen më të mirë – Stavrevskin; por për elaborimet e gjata telefonike në të cilat merr pjesë në mënyrë aktive në përgatitjen, kryerjen ose fshehjen e veprave  të lloj-llojshme penale, nga të cilat mund të konstatohet se MPB-ja është shndërruar në një lloj dragstori familjar-partiak të llojit të vet, për përdorim 24/7 të kapaciteteve të tij për operacionet kriminale të regjimit. Kurdisja e zgjedhjeve, falsifikimi i dokumenteve publike, reketimet dhe shantazhet, presionet fizike dhe përdorimi i forcës, “marrja me qira” e vagabondëve policorë për veprime të ndryshme ilegale operative në terren, pengimi i zgjedhjeve, fshehja e dhunës, keqpërdorimi i fondeve milionëshe, mosreagimi ndaj obligimeve të shumta ligjore, dhe disa tonë gënjeshtra, gënjeshtra, gënjeshtra… të përditshme. Gjithë këtë, “Gordeja” nuk e ka bërë vetëm me entuziazmin e kërkuar nga familja, por edhe me pasion të madh personal, të fshehur me dilema të kohëpaskohëshme morale dhe me një neveri të caktuar, për shkak të asaj se me kë është detyruar të ketë punë. Me kalimin e kohës, Jankullovska ka zhvilluar edhe një “mekanizëm mbrojtës” personal: urrejtje të madhe ndaj shumicës së bashkëpunëtorëve dhe “njerëzve të vegjël” rreth saj. Mirë, edhe ajo është dashur të flejë disi në mbrëmje.

Këtë nuk ka mundur ta bëjë çdo njeri. Për shembull, shiheni këtë sistematizim – po, të sëmurë: në tefterin e saj gjenden të shkruar të gjithë 100.000 punëtorët administrativë të punësuar nga ky pushtet, të gjitha marrëveshjet ndërpartiake, të gjitha konspiracionet bli-shit! Zonja Jankullovska është arkivi në lëvizje i familjes. Nuk mund të numërohen bisedat telefonike në të cilat Mijallkovi dhe Gruevski e pyesin atë se si u morëm vesh për këtë, kush ishte ai, çka premtuam atje, e çka fitojmë si kundërshpërblim prej tyre këtu… Gordana me krenari u thotë – e vetëdijshme për pazëvendësueshmërinë e saj dhe e pavetëdijshme për absurditetin e shkaqeve për atë fakt – të mos mërziten, për shkak se ajo ka gjithçka për çdokë dhe çdo gjë në tefterin e saj!

Ka pasur Jankullovska edhe një detyrë specifike: ajo dhe Mijallkovi kanë qenë burimet kryesore informative për dërgimin e “plumbave të gomës” deri te mediat proqeveritare për diskreditim, manipulim mediatik dhe likuidim të karaktereve të atyre që mendojnë ndryshe politikisht. Nuk e kam numëruar, mirëpo pothuajse jam i sigurt se në nëntë vitet e kaluara, Jankullovska dhe MPB-ja kanë mbajtur më së shumti konferenca për shtyp në krahasim me ministritë e tjera të Gruevskit. Në cilin vend tjetër normal dhe me të vërtetë demokratik të botës, ministri i policisë, me vite është personi më i eksponuar mediatik në opinion? Diçka patjetër duhet të jetë e kalbur në Danimarkën e tillë.

 

ZONJA E HEKURT

Nuk është krejtësisht e parëndësishme se a e ka merituar më në fund Jankullovska të bëhet anëtare e vërtetë e familjes – apo ka mbetur të shërbejë si (kërkoj falje për vrazhdësinë:) qilim i kualitetit të lartë para hyrjes së MPB-së, në të cilin familja i ka fshirë këpucët para çdo hyrjeje në botën e mundësive të pakufizuara të Ministrisë?

Mendoj se përgjigja në këtë dilemë nuk ka vetëm rëndësi të përgjithshme politike, por edhe juridike për vetë Jankullovskën, për shkak se, hipotetikisht, do të mund të kontribuonte për trajtimin e saj të ndryshëm gjatë zgjidhjes gjyqësore të veprimeve kriminale të familjes në Maqedoni.

Çka mendoj unë? Sinqerisht, mendoj se Mijallkovi asnjëherë te ajo nuk ka parë potencial serioz familjar, por vetëm potencial ekzekutiv të një ushtari maksimalisht të dëgjueshëm partiak. Ju lutem që kjo, kur të vijë dita, të merret si rrethanë e konsiderueshme lehtësuese për “zonjën e hekurt” të havarisë demokratike maqedonase. Nëse jo për diçka tjetër, atëherë së paku si shenjë e vogël falënderimi sepse nëpërmjet bisedave të shumta telefonike, fituam një dokument të paçmueshëm historik për dimensionet e çmendurisë së gjithë kësaj pune.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button