BFI fiton licencën për varrime dhe truallin në Kala të Shkupit

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve i ka dhënë dritë jeshile nisjes me punë të ndërmarrjes për kryerjen e shërbimeve të varrimit për besimtarët e konfesionit islam. Kjo u bë e ditur gjatë një takimi mes zv/ministrit të këtij dikasteri, Xhelal Bajrami me kreun e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni (BFI) Sulejman Rexhepi, transmeton Televizioni Alsat.  Gjithashtu, sipas këtij televizioni, zv/ministri Bajrami ka njoftuar kreun e BFI-së se është shpallur ankandi për tjetërsimin e tokës ndërtimore në afërsi të Kalasë së Shkupit ku pritet të ndërtohet selia e re e BFI-së. 

 “Gjatë këtij takimi pata rastin ta njoftoj kryetarin e BFI-së se Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në suaza të kompetencave të saja sot për herë të parë licencoi një subjekt juridik, i cili do të jetë kompetent për shërbimin e varrimeve këtu në Maqedoni. Gjithashtu gjatë këtij takimi pata rastin dhe nderin ta njoftoj kryetarin e BFI-së se MTL para dy – tre ditësh shpalli thirrjen publike për tjetërsimin e tokës ndërtimore në afërsi të Kalasë së Shkupit dhe ne shpresojmë që BFI-ja ta përgatisë dokumentacionin e nevojshëm për blerjen e kësaj toke ndërtimore ku në të ardhmen dhashtë Zoti do të ndërtohet selia e re e këtij institucioni të lartë fetar islam”, tha Xhelal Bajrami, zv/ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Për këtë të fundit, kreu i BFI-së Rexhepi, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet që parashihen me ligj.

 “E di opinioni i gjerë ngase shpeshherë jemi prononcuar. E kemi pasur një kërkesë imediate që të ndërtohet një Qendër Islamike në Kala të Shkupit. Do të ketë shumë objekte, ndër ta do të jetë edhe Kryesia dhe Rijaseti i BFI-së në Maqedoni”, u shpreh Sulejman Rexhepi, kryetar i BFI-së, transmeton Televizioni Alsat.

Lajme të ngjashme

Back to top button