QMBI: Liderët shqiptar të reagojnë për Kumanovën

Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional konsideron se ngjarjet e fundit në Kumanovë, pas rastit të Goshincës, paraqesin edhe një përpjekje tjetër për destabilizimin e vendit, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes nga kriza e thellë politike në të cilën gjendet shteti si rezultat i aferës së përgjimeve.

“Në momentet kur ndër qytetarët e Kumanovës po mbretëron një paqartësi e madhe se çfarë është duke ndodhur në qytetin e tyre, QMBI bën thirrje të fuqishme deri te liderët e partive politike shqiptare që të lënë anash dallimet absurde dhe urgjentisht të takohen e diskutojnë situatën, dhe të dalin me një prononcim të qartë të përbashkët me qëllim të orientimit të popullatës së Kumanovës, e cila kaloi gjatë dy ditëve të fundit nëpër një gjendje tmerri dhe kaosi. Mbi politikanët shqiptarë bie edhe barra kryesore e angazhimit për kthimin e popullatës së zhvendosur në shtëpitë e veta në qytetin e Kumanovës, si dhe për lirimin e qytetarëve të pafajshëm të arrestuar nga policia maqedonase dhe parandaluar përsëritjen e rastit të Sopotit.

Në të njëjtën kohë, QMBI bën apel, fillimisht deri te partitë politike në pushtet, që mos ta përdorin popullatën si mish për top, por të jenë në shërbim të saj, duke ia kthyer asaj si duhet borxhin e votave dhe legjitimitetit të marrë për t’i përfaqësuar dhe mbrojtur, e jo për t’i vrarë dhe terrorizuar. Po ashtu, QMBI kërkon edhe nga partitë opozitare, që mos t’i shfrytëzojnë këto ngjarje për përfitime politike, por të kontribuojnë pozitivisht në tejkalimin përfundimtar të kësaj gjendje dhe rivendosjen e qetësisë.

QMBI kërkon nga Prishtina dhe Tirana zyrtare që, përtej reagimeve shterpe, të angazhohen maksimalisht për t’i kontribuar zgjidhjes së drejtë të situatës së krijuar në Kumanovë dhe për të ndjekur më përsëafërmi fatin e kombit shqiptar në Maqedoni, në përputhje me premtimet e bëra publike të politikanëve të atjeshëm.

Me theks të veçantë, QMBI apelon deri tek faktori ndërkombëtarë që të ndërhyjë urgjentisht dhe në nivele më të larta, me qëllim të hulumtimit dhe zbardhjes së rrethanave që sollën deri te eskalimi i fundit i situatës, si dhe parandalimit të ndonjë përshkallëzimi tjetër eventual.

Të vetëdijshëm se gjatë këtyre ditëve popullata shqiptare e Kumanovës gjendet para një provokimi të rëndë, lusim Zotin që e gjitha ta kalojë me lehtësi dhe pa pasoja edhe më të rënda në njerëz dhe dëme materiale. ” reagon QMBI.

Lajme të ngjashme

Back to top button