A ka prova të mjaftueshme për tu rihapur procesi i aksidentit të Mlladenov-it?

Pas publikimit të përgjimeve nga ana e opozitës maqedonase, në të cilën dëgjuam disa të dhëna lidhur me vdekjen e gazetarit Nikolla Mlladenov, avokatët mendojnë se ka prova të mjaftueshme për të rihapur procesin gjyqësor për këtë rast.

Avokati Naser Raufi thotë për Portalb se në atë që dëgjuam u dhanë shumë të dhëna të cilat janë të mjaftueshme për të rihapur këtë procesin për këtë rast.

“Proceset gjyqësore mund të rihapen, varësisht prej provave të reja që posedohen. Me atë që dëgjuam unë vlerësoj se ka prova të mjaftueshme që të formohet një komision neutral i cili do të rishikon rastin dhe mënyrën e hetimit”, tha Raufi.

Ai shtoi se ka mjaft dyshime lidhur me këtë rast, të cilat duhet të zgjidhen dhe të zbardhen.

“Ka shumë dyshime në këtë rast që duhet zbardhur. Pse janë fsheh gjithë ato fakte dhe prova, ka mjaft paqartësi në mënyrën e hetimit dhe si avokat vlerësoj se rishikimi i këtij rasti është shumë i nevojshëm”, shtoi Raufi.

Avokati i Popullit, Ixhet Memeti thotë se juridikisht çdoherë ka mundësi për të rihapur procedura të ndonjë rasti konform ligjit.

“Procedura penale ka një mundësi të rihapjes së procesit i cili njëherë është mbyllur. Por kodi penal i procedurës kërkon që të plotësohen disa kushte procedurale dhe materiale të cilat duhet t’i shqyrtojë prokurori apo gjykatësi dhe nëse ata vlerësojnë se janë plotësuar kushtet që kërkon norma ligjore, atëherë ai proces do të rihapet”, tha për Portalb, Memeti.

Ndërkaq nga Prokuroria thonë se nëse ka dëshmi të reja lidhur me rastin e gazetarit Mlladenov, do të veprohet konform ligjeve.

“Nëse ndonjë person posedon materiale apo dëshmi lidhur me këtë rast, do të duhet t’i dorëzojë ato në Prokurori”, thonë nga ky institucion.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button