Blushi shton akuzat: Qeveria zhduku 50 milionë euro në 3 muaj

Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, ka përshkallëzuar akuzat në adresë të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Pas goditjes dhe ironizimit të Rilindjes, tashmë Ben Blushi ka avancuar në një terren tjetër, duke akuzuar qeverinë “Rama” për abuzime dhe paaftësi.

Në fjalën e tij në Parlament, Blushi ka deklaruar se për shkak të abuzimeve dhe paaftësisë së qeverisë në tre muaj janë zhdukur 50 milionë euro.

“Çfarë mund të bëjë shteti për këtë? Ka ca gjëra që mund t’i bëjë. Pa dyshim duhet t’ua dyfishojmë këtyre ndihmën ekonomike. Është totalisht e mundshme që 40 mijë lekë, apo 50 mijë lekë të bëhen 100. Dikush mund të thotë se nga t’i nxjerrim këto lekë? Ja, ua them unë nga dalin këto lekë. Këto lekë mund të dalin nga ky tre mujori i fundit, e keni parë besoj? 50 milionë euro mungesë realizimi në 3 muaj? Për çfarë? Për performancë të keqe, për abuzim, për mungesë parashikimi?!”, tha Blushi.

Varfëria Blushi i bëri thirrje kryeministrit Rama që të bëjë më shumë për 400 mijë shqiptarë, që sipas tij janë të varfër.

“Unë nuk kam alternativë jashtë grupit politik që i takoj, por sigurisht që disa gjëra i mendoj. Ca gjëra që lidhen me dështimin e kësaj klase politike për të luftuar varfërinë në këto 20 vjet. Unë mendoj se lufta kundër varfërisë nga të gjitha palët është e pamjaftueshme dhe sigurisht ka disa gjëra që mund të bëhen jo për të pasuruar të varfrit, por për t’i sjellë në kushte dinjiteti. Nëse Shqipëria ka një rrezik, kërcënim, ky kërcënim na vjen nga varfëria”, tha Blushi.

Deklarata e tij erdhi në përgjigje të pyetjeve që deputeti Eduard Bejko lëshoi në drejtim të tij seancën e shkuar, ku e pyeti se çfarë alternative jep ai personalisht. Blushi u shpreh se është përgjegjësi e të gjithë politikës që të largojë varfërinë nga vendi.

“Kërcënimi sot na vjen nga varfëria. A e dini se në Shqipëri ka 400 mijë të varfër, që jetojnë me 2 mijë lekë në ditë, ose me më pak se kaq?! Imagjinoni një familje me katër vetë që merr afërsisht 50 mijë lekë të vjetra në muaj, ndërsa ne paguajmë vetëm 400 lekë për të varfrit”, tha ai.

Në vijim të kritikave ndaj qeverisë, Blushi është ndalur edhe tek sistemi i taksimit. Sipas tij, skema e qeverisë për të taksuar më shumë të pasurit nuk ndikon aspak në largimin e varfërisë në vend. Ai u shpreh se qeveria duhet të ndihmojë personat në nevojë, duke shtuar se vetë personalisht do të jetë përkrah tyre.

“Nuk jam kundër të pasurve, pasi të pasurit do bëhen më të pasur, ditën kur të varfrit të bëhen më të pasur. Si garantohet më shumë zhvillim, që ai që është mirë, të jetojë pak më mirë. Dua të flas për shtresën e mesme, pasi nuk e kemi përkrahur aq sa ç’duhet qëkur kemi ardhur në pushtet, një ekspert që punon në një bankë, se sa pronari i bankës?! Kjo është mëse e vërtetë. E di ç’na mungon neve? Mendja, mendje të ndritura të këtij vendi; ekspertë, bankierë”, tha ai.

Blushi u shpreh gjithashtu se mazhoranca i ka të gjitha mundësitë që të nxjerrë nga varfëria 400 mijë shqiptarë./ sotnews

Lajme të ngjashme

Back to top button