USHT e shënoi Ditën e Evropës

Fakulteti Juridik i Universitetit Shtetëror të Tetovës në bashkëpunim me organizatën Europian movement organizuan manifestim me rastin e 9 Majit, Ditës së Evropës. Ky manifestim u realizua me një sërë aktivitetesh në ambientet e Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. dr. Ferat Polisi theksoi se Universiteti Shtetëror i Tetovës po kultivon në vazhdimësi një politikë për inkurajimin dhe mbështetjen e projekteve, manifestimeve dhe punëve kërkimore-shkencore, si dhe të aktiviteteve me rëndësi për komunitetin akademike e më gjerë. ,,Ne bëjmë përpjekje që brezat e rinj të komunitetit akademik gjithnjë të jenë të orientuar për një Evropë të bazuar mbi vlera dhe shpresa të përbashkëta, për një kontinent të bashkuar për diversitete, për vlera të përbashkëta ku do të mbisundojë paqja dhe pajtimi, dinjiteti i qytetarit, si dhe vlerat njerëzore”, tha Prof. dr. Ferat Polisi.

Këtë aktivitet me prezencën e tij e përshëndeti edhe zëvendëskryeministri për Çështje Europiane  i Maqedonisë, Fatmir Besimi. Bashkimi Evropian tanimë po luan një rol tejet të madh dhe mjaft të rëndësishëm në ndërtimin e paqes.” BE-ja mbetet një superfuqi ku nëpërmjet shtimit të numrit të anëtarëve ka për qëllim që të bëjë zhvillimin e rajonit. Edhe Maqedonia synon që në të ardhmen t’i realizojë rekomandimet e Komisionit Evropian dhe të jetë anëtare e kësaj familje të madhe”, tha zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Fatmir Besimi.

Presidentja e organizatës Europian movement, Mileva Gjulevska, shprehu falënderime dhe mirënjohje për Fakultetin Juridik të USHT-së, që pranoi të jetë nikoqir të këtij manifestimi. “Ky manifestim ka një traditë të gjatë. Tanimë 10 vjet organizohet në kuadër të Europian movement (Lëvizjes evropiane), nëpër universitetet e vendit. Për vetë faktin që studentët janë pjesa kryesore e publikut është kënaqësi e madhe realizimi i këtij manifestimi”, tha Mileva Gjulevska.

Njëri ndër aktivitetet kryesore të këtij manifestimi ishte edhe gara e oratorisë, në të cilën morën pjesë një numër i madh i studentëve nga universitet e vendit.

Lajme të ngjashme

Back to top button