Shqiptarë dhe serbë bashkohen në kërkim të të humburve

Bajram Crkini dhe Milorad Trifunoviç jetojnë në qytetin e ndarë të Mitrovicës në Kosovë — Çerkini në pjesën jugore shqiptare dhe Trifunoviçi në veriun serb.
Ndërsa janë të ndarë nga ura mbi lumin Ibër, ata janë të bashkuar në kërkimin e tyre për anëtarët e familjes që janë të humbur që nga konflikti i viteve 1990.

Pavarësisht shumë çështjeve që ndajnë Beogradin dhe Prishtinën mbi statusin e veriut të Kosovës, të dy burrat — shqiptar dhe serb — bashkuan forcat për të gjetur çfarë u ka ndodhur të afërmve të tyre.

Qasja e tyre ka çuar në takime të përbashkëta me autoritetet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, takime me familjarët e të dyja kampeve, shkëmbimin e informacionit dhe vizita në vendet e dyshuara si varre masive.

Trifunoviçi, 65 vjeç, u arratis nga qyteti me shumicë shqiptare i Vushtrrisë për në Mitrovicë në vitin 1999. Baba i katër vajzave dhe shtatë nipërve e mbesave punoi si inxhinier mekanik në termocentralin Elektrokosovo deri në vitin 1999. Tani ai udhëheq Shoqatën e Familjeve të Personave të Rrëmbyer dhe të Zhdukur në Kosovë dhe Metohi.
Çerkini është në të shtatëdhjetat. Djali i tij, Reshati, ishte 28 vjeç kur u rrëmbye në Mitrovicë me shtatë shqiptarë të tjerë në gusht të vitit 1998. Një punëtor miniere në pension, Çerkini ka tre fëmijë të tjerë dhe me dëshpërim kërkon të zbulojë fatin e djalit të tij dhe njerëzve të tjerë të zhdukur në Kosovë.

Vëllai i Miroslav Trifunoviçit u zhduk në vitin 1998 në moshën 33 vjeçare së bashku me nëntë kolegët e tij nga miniera sipërfaqësore e Belaqevaçit.
“Ne kemi informacione [se] ai është rrëmbyer, i burgosur dhe vrarë nga UÇK-ja, por ky është vetëm spekulim”, tha Trifunoviç për SETimes.
Çerkini dhe Trifunoviçi u takuan tre vjet më parë në Norvegji gjatë një konference për Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur për pesë shoqata shqiptare dhe pesë serbe.
“Ne as nuk folëm në aeroplan në atë moment, por shpejt më pas vendosëm të fillojmë të punojnë së bashku në këtë çështje të dhimbshme për të dy prej nesh dhe për të gjithë ne. Ideja jonë e parë ishte që të mbledhim së bashku nënat shqiptare dhe serbe që kanë humbur fëmijët e tyre, por megjithëse ne nuk mundëm ta menaxhojnë atë në atë moment, ne vazhduam të punojmë”, tha Trifunoviçi.

Çerkini ishte një panelist në konferencë, dhe fjalët e tij rezultuan një frymëzim për të gjithë që dëgjonin, duke përfshirë Trifunoviçin.

“Unë apelova që të mos na shohin përmes vijave etnike, por në vend të vetëm si familjarët e të zhdukurve, si njerëz që kanë të njëjtat dhimbje dhe shqetësime, të njëjtat objektiva dhe kërkesa: të kuptojmë se çfarë ka ndodhur me të dashurit tanë”, tha Çerkini për SETimes. “Në atë moment Trifunoviçi m’u afrua, dhe që ne kemi qenë kudo së bashku, dhe jemi duke punuar së bashku për kauzën e përbashkët, fatin e të zhdukurve”.

“Ne kemi kuptuar se nuk është e mundur të bëhet asgjë vetëm, dhe po përpiqemi të arrijmë të vërtetën së bashku tani”, shtoi Trifunoviçi. “Së bashku, ne kemi organizuar takime me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, ambasadat dhe tashmë ne kemi arritur të kuptohemi më mirë, duke marrë mbështetje më të mirë. Ata duhet të na ndihmojnë neve pasi ata përfaqësojnë vendet ku të drejtat e njeriut janë në nivel të lartë, dhe madje edhe kafshët kanë varre. Vëllezërit dhe fëmijët tanë meritojnë po ashtu të kenë një varr”.

Të dy burrat janë dakord se bashkëpunimi i tyre do të ketë një ndikim pozitiv për të gjithë njerëzit në Kosovë.
“Nëse ne, që kemi pasur humbje të tilla të dhimbshme, jemi gati të punojnë së bashku, ky duhet të jetë një mesazh për të gjithë njerëzit këtu që do të thotë se pajtimi është i arritshëm”, tha Trifunoviçi.

“Në një nivel personal ne jemi të barabartë”, tha Cerkini. “Ai ka një dhimbje si kam unë, ai synon të njëjtën gjë si unë, vetëm të zbulojmë të vërtetën e të dashurve tanë”.
Gordana Gjukanoviç, zëdhënëse e Shoqatës së Familjeve të të Rrëmbyerve dhe të Vrarëve në Kosovë, tha për SETimes se familjet e personave të humbur nga Beogradi dhe Prishtina punojnë së bashku, si edhe, bëjnë rezoluta të përbashkëta duke kërkuar nga Beogradi dhe Prishtina që të bashkëpunojnë për këtë çështje, pasi përkrahja e tyre institucionale është vendimtare.

“Viktima mbetet viktimë. Dhimbja e një nëne mbetet dhimbja e një nëne, pa marrë parasysh nëse emri i saj është Marica apo Shpresa. Procesi i pajtimit është i ngadalshëm, por i arritshëm. Ne as nuk mund ta shikonim njëri-tjetrin 10 vite më parë, por kjo nuk ndodh më. Ne kemi bërë një lidhje, por institucionet tona dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të na mbështesë në mënyrë që të ndihmojë përpjekjet tona”, tha Gjukanoviç.

Hapi i tyre i ardhshëm i përbashkët është që të dërgojnë një letër të hapur për Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon, duke kërkuar të përshpejtohen përpjekjet ndërkombëtare për të trajtuar seriozisht çështjen e më shumë se 1750 persona të zhdukur në Kosovë.

Çfarë veprimesh duhet të ndërmarrin Beogradi dhe Prishtina për të ndihmuar në kërkimin e njerëzve të humbur? Ndani mendimet tuaja në seksionin e komenteve.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.

Lajme të ngjashme

Back to top button