Fyle merr letrën e Gruevskit, por nuk komenton

Komisari për zgjerim i BE-së, Shtefan Fyle, përmes zyrës së tij kofirmoi për MIA-n se e ka marrë letrën që ia ka dërguar kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski. 

Sipas zëdhënësit të Komisionit Evropian, Petar Stano, Fyle e ka marrë letrën nga kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, në të cilën Gruevski i shkruan eurokomisarit për zgjerim se konkludimet e Komisionit ad-hok për hetim të ngjarjeve në Kuvend më 24 dhjetor të vitit 2012 janë miratuar me qëllim që të mos ngecë procesi eurointegrues i Maqedonisë.

Edhe pse Gruevski nga Fyle kërkoi që në Raportin e Komisionit për përparimin e Maqedonisë,  të përkrahet sërish rekomandimi për hapjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në Union, si dhe kërkoi personalisht nga komisari që negociatat të fillojnë së shpejti, nga zyra e Fyles nuk deklarohen se çfarë veprimesh do të ndërmarrë ai.

“Në parim, ne nuk i komentojmë shkresat që komisari i ka me parnerët e tij, e as nuk i komentojmë letrat që i merr ai nga të gjithë vendet nga portfolioja e tij”, transmeton Stano qëndrimin e komisarit për zgjerim të BE-së./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button