NATO: Ndërhyrje në Siri

Në një lëvizje të papritur, Sekretari i Përgjithshëm i Nato-s, Anders Fog Rasmussen shprehu bindjen se qeveria siriane ka përdorur armë kimike kundër popullit të saj, e për më tepër deklaroi se një reagim i fuqishëm është i nevojshem për t’iu treguar diktatorëve në mbarë botën se armë të tilla nuk mund të përdoren pa u ndëshkuar. 

“Në vija të përgjithshme, mund t`ju them se më janë paraqitur informacione konkrete, dhe pa hyrë shumë në hollësi, dua të sqaroj se personalisht jam i bindur jo vetëm që sulmi kimik ka ndodhur, besoj të gjithë i kanë parë pamjet e tmerrshme nga Siria, por edhe se përgjegjës për të është regjimi sirian. Pozicioni im është i palëkundur kur them se komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë në një situatë të tillë, përndryshe cdo diktatori nëpër botë do t’i përcillet 
mesazhi i pandëshkueshmërisë”, tha Rasmussen. 

Numri një i aleancës së Atlantikut Verior e cilësoi episodin e 21 gushtit të neveritshëm e të pajustifikueshëm dhe për këtë arsye ajo ngjarje nuk mund të injorohet. Por Rasmussen nuk bëri pohimin që do të kishte dashur ndoshta të dëgjonte presidenti amerikan Barak Obama, duke lënë të kuptohet në fjalën e tij se nuk sheh një rol të NATO-s në mësymjen e mundshme ushtarake kundër Damaskut. 

“Nëse operacioni ushtarak ndërmerret vërtet, mendoj se ai ka për të qenë i shkurtër, i matur dhe me një qëllim të mirëpërcaktuar. Por sistemet e Komandës së Kontrollit të Aleancës, për një operacion të këtij lloji, nuk janë të nevojshme”, deklaroi kreu i NATO-s. 

Sekretari i Përgjithshëm tha se u takon aleatëve të vendosin individualisht se si do të kundërpërgjigjen ndaj përdorimit të armëve kimike në Siri, ndersa shtoi se Aleanca do të mbetet një mbrojtëse e fortë e Turqisë në rast se sulmohet ky vend anëtar i saj. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button