Gruevski OSBE-së: Qeveria nuk ka kërkuar paraburgim për Kezharovskin

“Qeveria nuk ka kërkuar që t’i shqiptohet masa e paraburgimit gazetarit Tomsillav Kezharovski, nuk ka ndikuar mbi organet gjyqësore për të marrë vendim të atillë, sepse pushteti ekzekutiv është i ndarë nga ai gjyqësor, ndërsa të gjithë qytetarët janë të barabartë përpara ligjit”, ka shkruar kryeministri Nikolla Gruevski në përgjigjen e tij për përfaqësuesen për media të OSBE-së, Dunja Mijatoviq.

Duke iu referuar kryesisht çështjes së arrestimit të gazetarit Tomisllav Kezharovski, Gruevski sqaron se ajo është nën kompetencë të gjykatave dhe jo të pushtetit që drejton ai, dhe për këtë citon dispozitën kushtetuese që përcakton ndarjen e pushteteve.

Në letër, kryeministri thekson gjithashtu se arrestimi i gazetarit nuk është bërë për faktin se ka shkruar një artikull, ashtu siç thuhej në letrën e përfaqësues së OSBE-së, por për shkak të shkeljes së dispozitave të Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve. 

“Si shembull që ilustron se sa e rëndësishme është mbrojtja e dëshmitarëve dhe sa vëmendje i kushtohet kësaj çështjeje, do të përmendja Tribunalin e Hagës, i cili ngriti proces dhe dënoi katër gazetarë, për zbulimin e identitet të dëshmitarëve të mbrojtur”, thuhet në letrën e Gruevskit.

Më tej, ai thotë qeveria qëndron anash nga çdo proces gjyqësor, e poashtu edhe në rastin e gazetarit Kezharovski. 

“Qeveria as nuk ka kërkuar masën e arrestit, as nuk ka ndikuar tek gjykatësit kompetentë për të caktuar këtë masë. Edhe krahas faktit se disa struktura po përpiqen ta politizojnë këtë proces, dhe krahas faktit se këto përpjekje mund ta dëmtojnë imazhin e shtetit, qeveria do të vazhdojë, në parim, të qëndrojë mënjanë dhe të vëzhgojë me vëmendje diskutimin gjyqësor lidhur me këtë rast. Vlerësoj se kjo është mënyra e vetme dhe më e mirë për të vepruar”, ka shkruar kreu i ekzekutivit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button