Lufta në Bosnje dhe Hercegovinë, arsyeja e themelimit të ambasadës për fëmijë “Megjashi”

Ambasada e parë për fëmijë në botë “Megjashi”, motoja e së cilës është “Të gjitha idealet e botës janë më pak të rëndësishme se sa lotët e një fëmije”, sot shënon 23 vjetorin e ekzistencës së saj. “Megjashi” është një organizatë e shoqërisë civile, e cila përfaqëson dhe mbron të drejtat e fëmijëve, si dhe kujdeset për vlerën e personalitetit të fëmijëve.

“Megjashi” vepron në nivel ndërkombëtar, kombëtar, rajonal dhe lokal dhe në përputhje me Statutin e organizatës mund të anëtarësohen anëtarë individual dhe kolektiv. Në periudhën e kaluar (1992-2015) kjo organizatë është angazhuar kryesisht në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, si dhe informimin, këshillimin, edukimin dhe përfaqësimin e interesave të fëmijëve. Kjo fushë mbetet interesi kryesor edhe për të ardhmen, thonë nga organizata Megjashi.

Një nga dy themeluesit dhe drejtor ekzekutiv i Ambasadës së parë për fëmijë në botë “Megjashi”, Dragi Zmijanac, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tregon se kjo ambasadë u themelua si një iniciativë qytetare, të cilës i’u përgjigjen qytetarët human të ish-Jugosllavisë për të shpëtuar fëmijët pas viteve të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, në kohën kur qytetarët e Maqedonisë shprehën solidaritet të madh në kujdesin e familjeve nga Bosnje dhe Hercegovina duke i marrë ato në shtëpitë e tyre.

Zmijanac thotë se në kohën kur ende nuk ishte themeluar Komisioneri i lartë për refugjatë dhe kur Kryqi i Kuq nuk ishte i mobilizuar arriti një apel dramatik nga Bosnje dhe Hercegovina dhe me këtë ai bashkë me bashkëshorten e tij filluan iniciativën për t’i ndihmuar refugjatët. “Ende të paregjistruar filluam që të evidentojmë qytetarët që i’u përgjigjën iniciativës tonë për kujdesin e sa më shumë refugjatëve nga Bosnje dhe Hercegovina”, u shpreh ai.

Ai shtoi se shkaku i hapjes së ambasadës “Megjashi” ishin konfliktet e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, veçanërisht në Sarajevë. “Fëmijët qëndronin në objektin tonë dhe kishte vështirësi të vendosen në vendpushimet e fëmijëve, sepse rreth 60 mijë refugjatë erdhën në një moment në Republikën e Maqedonisë nga Bosnje dhe Hercegovina. Maqedonia duhej që për një kohë të shkurtë të hap vendpushimet që të mund të kujdeset për to, pasi që qytetarët nuk mund të kujdeseshin për një numër aq të madh refugjatësh”, tha Zmijanac, duke shtuar se në këtë periudhë është bërë një hap i madh me hapjen e urave drejt Spanjës, Turqisë, Danimarkës dhe vendeve të tjera, prej të cilave është kërkuar ndihmë dhe më pas është organizuar transporti dhe një numër i madh i refugjatëve janë dërguar në këto vende.

– Për 23 vite punë të ambasadës “Megjashi” ka arritur të ndryshojë shumë iniciativa dhe ligje –

Zmijanac duke theksuar se pas luftës në Bosnje dhe Hercegovinë filloi edhe kriza kosovare dhe pas saj edhe konflikti i vitit 2001 në Maqedoni, shtoi se ekipi i ambasadës “Megjashi” gjithmonë është kujdesur për refugjatët kosovarë dhe për familjet maqedonase. “Me një fjalë, ambasada e parë për fëmijë në botë i’u është përgjigjur të gjitha konflikteve dhe krizave të luftës dhe për atë arsye ambasada nga ajo kohë deri më sot punon intensivisht në ndërtimin e paqes”, deklaroi Zmijanac, duke përmendur se ambasada që ai drejton është e angazhuar me klube multietnike nëpër shumë qytete të Maqedonisë, me qëllim që të respektohen diversitetet etnike.

Për këto 23 vite punë të ambasadës “Megjashi”, Zmijanac thotë se kanë arritur të ndryshojnë shumë iniciativa dhe ligje, duke veçuar se para dy viteve kanë arritur që të sjellin dënime me minimum 15 vite burgim për personat që kryejnë marrëdhënie seksuale me fëmijët nën moshën 14 vjeçare.“Bëjmë një presion të fortë të jenë maksimalisht në lëvizje dhe funksionim institucionet dhe të punojnë në interes sa më të mirë të fëmijës”, shprehet Zmijanac.

– “Megjashi” vizitohet edhe nga zonja e parë e Turqisë, Emine Erdoğan –

Zmijanac gjatë bisedës me gazetarin e AA-së thotë se ambasada “Megjashi” është vizituar nga shumë ambasada, ambasadorë dhe persona përgjegjës në funksione të larta shtetërore. Ai veçoi edhe zonjën e parë të Republikës së Turqisë, Emine Erdoğan, e cila para dy viteve bashkërisht me trupin diplomatik e shoqëruar nga zonja e parë e Maqedonisë, Borkica Gruevska, vizituan ambasadën dhe kanë ofruar mbështetje për punën e ambasadës “Megjashi”.

Drejtori ekzekutiv i Ambasadës së parë për fëmijë në botë “Megjashi”, Dragi Zmijanac, zonjës së parë së Turqisë, Emine Erdoğan dhe zonjës së parë të Maqedonisë, Borkica Gruevska, në shenjë mirënjohje u dhuroi statujëz “Bushavko” (I dredhur) me markën e ambasadës së fëmijëve “Megjashi”. Përveç zonjës së parë të Turqisë dhe Maqedonisë, kjo statujëz i është dhuruar edhe presidentit të parë të Republikës së Maqedonisë, Kiro Gligerov.

Ai duke theksuar se përpos zonjës së parë Emine Erdoğan, edhe shumë të tjerë kanë mbështetur punën tyre, përfshirë edhe Bashkimin Evropian, shtoi se, “Po të mos kishim këto mbështetje nuk e di a do të mund të ekzistonim gjithë këto 23 vite. Republika e Maqedonisë mund vetëm të krenohet që ka ambasadën e parë për fëmijë në botë. Edhe vendet e pasura nuk e kanë këtë ide dhe mendoj se me të vërtetë meritojmë një mbështetje më të madhe nga faktori i brendshëm”.

Zmijanac në fund të fjalës së tij tha se 75 përqind e buxhetit të ambasadës financohet nga jashtë dhe 25 përqind nga qytetarët, kompani të vendit dhe aktivitetet ekonomike të ambasadës. Ai kërkon nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë për një hapësirë dhe objekt të ri dhe marrjen e një granti institucional nga shteti, pasi që ambasada çdo ditë reagon ndaj ngjarjeve të përditshme kur nuk respektohen të drejtat e fëmijëve. “Puna jonë është 24 orë në ditë, vazhdimisht punojmë dhe mendoj se pas 23 viteve mendoj që të mbështetemi financiarisht edhe nga Republika e Maqedonisë”, tha Zmijanac.

Lajme të ngjashme

Back to top button