Torino ilaç për Juven, ndalet Lazio (Video)

Duhej të ishte një derbi i spektaklit si brenda edhe jashtë fushe, por incidentet mes dy tifozerive eklipsuan takimin mes Torinos e Juventusit, ku të zotët e shtëpisë pavarësisht atmosferës së tensionuar arritën të triumfojnë në shifrat 2-1.

Pas atmosferës së zjarrtë që mbizotëronte në pjesën e parë në stadiumin Olimpik të Torinos, goli i parë erdhi nga Pirlo.

Edhe pse në disavantazh, Torino nuk e humbi qetësinë, përkundrazi vazhdoi të kërkonte me insistim golin e barazimit dhe e gjeti atë me anë të Darmian në limitet e pjesës së parë. Në të dytën vendasit duken më kërkues dhe protagonist ishte sërish Darmian që shërbeu për Quagliarellan, i cili doli fitimtar në duelin me Buffon. Asgjë nuk ndryshon në vazhdim, edhe pse skuadra e Allegrit nuk pajtohet me këtë rezultat dhe tenton me forcë të realizojë përmbysjen.

Ndërkohë Lazio çoi dëm një mundësi të mirë për t’u shkëputur edhe më shumë nga Roma, falë edhe disfatës së verdhekuqve një ditë më parë me Interin. Në barazimin 1-1 me Chievon, bardhekaltërit kaluan të parët në avantazh falë një supergoli të Kloses, që e bëri të shpërthejë në eufori Olimpicon, por gjermani i vetëm nuk mjafton për suksesin e të tijve. Në të dytën Paloschi rikthen ekuilibrin në kryeqytet me Lazion që tashmë gjendet vetëm një pikë para rivalëve romanë.

Lajme të ngjashme

Back to top button