Hasani akuzohet për ngacmime seksuale ne Medrese

Ndaj Fadil Hasanit, kryetarit të sapozgjedhur të këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës, një ish-koleg po hedh akuza të rënda, për të cilat thotë se posedon edhe fakte.
Para plot tri vitesh, qysh kur u shkarkua nga posti i profesorit të mësimeve të Kur`anit, Emin Behrami pati publikuar në Express disa të dhëna, sipas të cilit, ishin dëshmi për ngacmime seksuale të nxënësve të medresesë nga ana e profesorëve.

Në mesin e shumë prej tyre figuron edhe emri i Fadil Hasanit, profesorit të gjuhës arabe në medresenë “Alauddin”, i cili të enjten u zgjodh Kryetar i Kuvendit të BIK-ut.

Emin Behrami thotë se zgjedhja e Hasanit në këtë post të rëndësishëm, po e shtyn të ndërmarrë masa konkrete.

“Do të dalë me fakte të reja shokuese. Fakte të cilat nuk pranohen as me sheriat e as me Kur’an”, thotë Behrami për Express.

Sipas tij, përveç problemeve dhe dallavereve të shumta që janë bërë dhe po vazhdojnë me ritëm të njëjtë brenda Bashkësisë Islame, mes shumë emrave që janë të përfshirë në skandale është edhe ai i kryetarit aktual të kuvendit.

“Ka një mori dokumentesh te ngacmimit në orë të mësimit dhe jashtë orëve. Në mesin e tyre ka qenë edhe profesor Fadili”, thotë Behrami.

Ai pohon se i posedon të gjitha e-mailet që nxënësit i kanë shkëmbyer me drejtorin e shkollës, nëpërmjet të cilave i kanë rrëfyer të gjitha të bëmat e profesorëve të tyre, përfshirë edhe kryetarin aktual të këshillit të BIK-ut.

“Aty vërehet qartë fjalori amoral i profesorit në fjalë dhe profesorëve të tjerë, si për shembull ‘puthjet tuaja ma kanë qetësuar shpirtin’, apo ‘duhet të takohemi edhe një herë’”, tregon Behrami për bisedat që sipas tij profesorët i kanë bërë me nxënëset e medresesë. “Unë i posedoj të gjithë e-mailat, bisedat e nxënësve me drejtorin në relacion me profesorët”, thotë ai.

E krejt këto që sipas tij i ka bërë i sapoemëruari në kryesi, i di mirë edhe myftiu i Kosovës Naim Tërnava.

“Por, cilado shkelje që bëhet kur një individ është i dëgjueshëm ndaj myftiut, mbrohen pavarësisht se çfarë kanë bërë”, pohon Behrami duke e quajtur Fadil Hasanin si kandidati kukull e myftiut Tërnava.

Pritjeve të Behramit për t’ia nxjerrë krejt të palarat BIK-ut dhe punonjësve të saj, po u vjen fundi.

“Unë që tri vite jam në proces gjyqësor për shkak të shkarkimit tim. Krejt këto që po i them i mbuloj me fakte ligjore të cilat unë do t’i paraqes herët apo vonë”.

Lajme të ngjashme

Back to top button