Kushtetuesja pranon kërkesën e Nishanit, presidenti shkarkon e liron gjeneralët

Gjykata Kushtetuese i kthen Presidentit të Republikës kompetencën e nxjerrjes në rezervë ose në lirim të oficerëve me gradë madhore, siç janë gjeneralët. Me ligjin e ri për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura ishte parashikuar që oficerët me gradë madhore dilnin në rezervë ose në lirim me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes.

Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar dje kërkesën e Presidentit për rrëzimin e ligjit për Forcat e Armatosura. Pas shqyrtimit u vendos pranimi pjesërisht i kërkesës duke shfuqizuar nenet 25/3 dhe 26/4 të ligjit “Për karrierën ushtarake në forcat e armatosura në Republikën e Shqipërisë” dhe rrëzimin e kërkesës për pretendimet e tjera. Presidenti Nishani kërkoi shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të ligjit nr.59/2014 “Për karrierën ushtarake në forcat e armatosura në Republikën e Shqipërisë”

Por Gjykata Kushtetuese konsideroi ligjore që të rrëzonte vetëm dy prej neneve të ligjit sa më sipër ku thuhej se, “oficerët me gradë madhore dalin në rezervë ose në lirim me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes”. Në fakt, propozimi i qeverisë që emërimin dhe lirimin e gjeneralëve me gradë madhore ta bëjë Kryeministri dhe jo më Presidenti, pak kohë më parë ngjalli pakënaqësi edhe në radhët e socialistëve, duke u kontestuar nga ish-ministri i Mbrojtjes dhe ish-kryeministri Pandeli Majko.

Nga ana e tij, Presidenti i Republikës Bujar Nishani e ka konsideruar si antikushtetuese heqjen e kompetencës që ai kishte për të liruar apo nxjerrë në rezervë oficerë me gradë të lartë.

Në ndryshim nga ligjet e mëparshme, ku për vetë rëndësinë që zënë në hierarkinë ushtarake të Forcave të Armatosura oficerët me gradë madhore, dalja në rezervë apo lirim e kësaj kategorie bëhej me dekret të Presidentit, ndërsa me ligjin 59/2014 ato bëhen me urdhër të Kryeministrit, dhe me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, duke tejkaluar sipas Presidentit Nishani e akoma më shumë duke uzurpuar funksionin kushtetues të Komandantit të Përgjithshëm të FA.

Nishani ka argumentuar se çdo kompetencë e rregulluar me ligj, dhe e konsoliduar me një eksperiencë 10-vjeçare, mund t’i hiqet Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm, vetëm atëherë kur ato vijnë në kundërshtim me Kushtetutën dhe në asnjë rast tjetër.

Lajme të ngjashme

Back to top button