ANALIZË: Buxheti nën presion, do të ketë huamarrje të reja!

Prognoza alarmante të Qendrës për analiza ekonomike. Këtë vit zbrazëtira në arkën shtetërore do të thellohet deri në pothuajse 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në qoftë se qeveria vazhdon me tempon aktuale të harxhimit. Poashtu, sipas ekonomistëve, stabiliteti i likuiditetit është i rrezikuar edhe për shkak të paralajmërimeve për rritje të rrogave, të ndihmës sociale, të bursave të nxënësve dhe të studentëve.

Harxhimet e paplanifikuara duhet të ndërpriten…

Shpenzime të shtuara buxhetore që nga fillimi i vitit. Vetëm për dy muaj janë harxhuar një e katërta e deficitit buxhetor që është planifikuar për gjithë vitin, me çka, sipas ekonomistëve, tashmë dërgohet edhe sinjali i parë se edhe këtë vit, projektimet optimiste për huamarrje të matura nuk do të realizohen. Në raportin e ri të Qendrës për analiza ekonomike thuhet se këtë vit, me tempon aktuale të harxhimeve, viti mund të përfundojë me deficit buxhetor prej pothuajse 5% të Prodhimit të Brendshëm Brutо.

“Të dhënat tregojnë se në dy muajt e parë të këtij viti është harxhuar pothuajse një e katërta e deficitit buxhetor, dhe nëse vazhdohet me tempon aktuale të shpenzimeve, qeverisë do t’i mungojë edhe një tremujor i plotë për financim”, thotë Marjan Nikollov nga Qendra për analiza ekonomike.

Sipas projektimeve aktuale, deficiti buxhetor, i cili praktikisht i paraqet borxhet e qeverisë, është projektuar në 300 milionë euro ose 3,5% të PBB-së. Në vitet e kaluara, projektimet nuk u realizuan, gjegjësisht në fund të vitit kalendarik llogaritej deficit më i lartë se sa ai që ishte i planifikuar.

“Në dy muajt e parë të vitit 2015 është harxhuar një e katërta e deficitit të planifikuar buxhetor për vitin 2015. Nëse vazhdohet me harxhimet me këtë dinamikë, vitin 2015 do ta përfundojmë me deficit të vlerësuar buxhetor prej 130 milionë eurosh (deficiti i planifikuar është pothuajse 300 milionë euro) që paraqet 4.94% të PBB-së për vitin 2015”, thuhet në raportin e QAE-s.

Ajo që sipas ekonomistëve alarmon në mënyrë plotësuese janë paralajmërimet për rritje të rrogave të policisë, ndihmat më të mëdha sociale dhe bursat më të larta për nxënësit dhe studentët. Sipas vlerësimeve, që të realizohen këto paralajmërime, qeveria duhet të bëjë rebalanc të buxhetit, por edhe të marrë kredi të reja.

“Qeveria as që ka para, e as që krijon para. Qeveria, gjegjësisht kryeministri, kur paralajmëron rritje të të gjitha llojeve të shpenzimeve nga buxheti, në fakt paralajmëron se ato do t’i marrë prej disa qytetarëve dhe do t’ua japë qytetarëve të tjerë. Jemi dëshmitarë për menaxhimin e keq të financave publike, gjegjësisht të buxheteve të Maqedonisë. Nëse diku jepet, kjo do të thotë se prej diku ajo duhet të merret, e në qoftë se atje prej ku duhet të merret nuk ka para, atëherë duhet të merret hua, brenda vendit ose nga burime të jashtme. Mënyrë tjetër për mbulimin e rrogave, ndihmave sociale dhe bursave më të larta – nuk ka”, thotë njëri nga ish-ministrat për financa, Xhevdet Hajredini.

Nga Qendra për analiza ekonomike, e cila prognozon rritje të deficitit buxhetor deri në 5% të PBB-së, theksojnë se edhe ky nivel shumë i lartë, nuk i përfshin shpenzimet e reja të paralajmëruara.

“Në këtë vlerësim prej 130 milionë eurosh të deficitit të shtuar buxhetor, nuk janë marrë parasysh edhe zgjidhjet e paralajmëruara ad-hok që janë paralajmëruar në ditët e fundit: 100% dëmshpërblim nga vlerësimet e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, rritja e rrogave të të punësuarve në MPB, tablete për studentët, rritje e ndihmës sociale për 5 për qind më shumë se sa që ishte planifikuar”, thuhet në raportin e QAE-s.

Nga qeveria akoma nuk ka përgjigje konkrete se sa, si dhe a do të jenë të gjitha këto paralajmërime që do t’i zhvendosin projektimet aktuale buxhetore. Mirëpo, që të realizohen pozitat aktuale, qeveria do të duhet të heqë dorë nga harxhime të caktuara, konsiderojnë ekonomistët.

“Dy gjëra duhet të bëhen me urgjencë. E para, qeveria duhet të heqë dorë nga harxhimet diskrete, ku bëjnë pjesë shpenzimet buxhetore të cilat nuk janë të përcaktuara gjegjësisht të detyrueshme me ligj. E dyta, qeveria do të duhet t’i harrojë edhe paralajmërimet aktuale që u theksuan nëpër tubimet partiake për rroga më të larta, ndihma më të mëdha sociale, bursa më të larta për nxënësit dhe studentët. Këto paralajmërime kanë peshë politike dhe nevojitet vullnet politik të mos realizohen që të ruhen projektimet aktuale buxhetore”, thotë Nikollov nga QAE.

Gjatë viteve të kaluara, qeveria realizoi politika për rritjen e rrogave të administratës dhe të pensioneve. Njëkohësisht, analizat tregojnë se të gjitha këto harxhime e shtuan presionin mbi buxhetin. Kështu, pagesa e pensioneve në vitin 2013, që u sigurua nga buxheti qendror, arriti në 50%, që do të thotë se mbi gjysma e shumës së pensioneve të paguara sigurohen nëpërmjet buxhetit qendror ose nëpërmjet huave, për të cilën gjë përsëri paguajnë të gjithë qytetarët.

 

“Konsiderojmë se çdo huamarrje e mëtutjeshme nga jashtë duhet të jetë rreptësisht për qëllime të caktuara dhe jo për të gjitha dedikimet buxhetore dhe të shoqërohet me kushtëzime nga institucionet financiare ndërkombëtare. Qeveria duhet urgjentisht t’i konsolidojë financat publike dhe të mos e rrezikojë rritjen e ekonomisë duke gjetur hapësirë fiskale që, së paku t’i ngrijë të gjitha zgjidhjet ad-hok. Kjo është me rëndësi për shkak se jemi të vetëdijshëm se ndjeshmëria politike dhe pesha e “vendit me tatime më të ulëta” gjithsesi nuk do të sjellë rritje të tatimeve nëpërmjet politikave tatimore, por presim rritje lucide të bazës tatimore, të dënimeve dhe të ngarkesave kuazi-fiskale siç ishin ato për honoraret”, theksojnë nga Qendra për analiza ekonomike.

Sipas prognozave të fundit, më të reja, të FMN-së, borxhi i qeverisë qendrore edhe vitet e ardhshme do të vazhdojë të rritet.

Lajme të ngjashme

Back to top button