Gati për luftë. Evakuohen shtetasit e huaj nga Siria

Sulmi mbi Siri i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara është vetëm çështje kohe. Bombardimet mund të fillojnë sot, bëjnë të ditur mediat amerikane. Evakuimi i rusëve, ukrainasve, bjellorusëve nga Damasku është një tjetër shenjë që sinjalizon për një sulm të afërt. 90 civilë janë kthyer në aeroportin “Domodedovo” të Moskës në një fluturim të organizuar nga Ministria e Emergjencave. Ora- orës fjalimet e zyrtarëve të lartë amerikanë janë gjithnjë e më shumë thirrje lufte  përgatitore për ndërhyrje ushtarake.

“Nën udhëheqjen e presidentit Obama, të gjithë ne së bashku me ekipin e sigurisë kombëtare kemi pasur kontakte të ngushta me homologët e huaj. Presidenti është i bindur, dhe unë bashkë me të, se ata që përdorin armë kimike kundër burrave, grave dhe fëmijëve të pafuqishëm, duhet të mbajnë përgjegjësi”, tha zv/presidenti amerikan Joe Biden.

Tre ditët e sulmeve ajrore kundër objektivave ushtarake të regjimit të Bashar al Assad mund të fillojnë që sot, thonë burime të administratës Obama në shtypin amerikan. Një takim i këshillit të sigurisë është mbajtur gjatë orëve të natës e media raporton se Washingtoni ka prova të sigurta për përdorimin e armëve kimike. 

Inspektorët e OKB kanë rifilluar hetimet në terren ndërsa nga Pallati i Qelqtë,  sekretari i përgjithshëm Ban Ki- moon raporton se “inspektorëve të OKB-së mund t’u duhet kohë për të përfunduar punën e tyre”. Ai i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të veprojë në mënyrë që të garantojë paqen. 

Një rezolutë është prezantuar nga Britania e Madhe për sulmin kimik në Siri e cila diskutohet sot në seancën me dyer të mbyllura. Ndërkohë një tjetër raport, ai i kundërzbulimit amerikan për përdorimin e armëve kimike pritet të bëhet publik. Në kundërpërgjigje të tij Ministri i Jashtëm sirian Valid Mualem ripohoi vendosmërinë e Damaskut për t’u vetëmbrojtur. “Në rast sulmi kemi dy opsione: të dorëzohemi ose të mbrojmë veten tonë me çdo mjet në dispozicionin”- tha ai.

Por lufta ka filluar tashmë, të paktën  në hapësirën kibernetike. Website i New York Times ka qenë viktimë e një sulmi nga hakerat. Dyshimi bie mbi Ushtrinë Elektronike Siriane, një grup piratësh informatikë të cilët gjithashtu pushtuan Twitterin me postimet e tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button