Epidemia e bastoreve në Kërcovë

Kërçova është një nga qytetet e Maqedonisë me më shumë numër të qendrave sportive për baste dhe lojëra fati. Papunësia e madhe ka bërë që shumë banorë, kryesisht meshkuj, të gjeneratave të ndryshme të provojnë fatin e tyre në lojërat e fatit.
Një vizitues i rregullt i bastoreve, i moshës 52 vjeçare,  i cili dëshiron të mbetet anonim, tha se ai me këtë punë merret afër 15 vite dhe sa herë që ka lojëra interesante  e posaçërisht kur luhen lojëra të ligës së Kampioneve,  harxhon shuma të majme parash me shpresën se do të marrë dyfishin e tyre.
“Nuk është se kam fituar sasi të konsiderueshme parash krahasuar me ata që kam shpenzuar por, ky fenomen negativë më është bërë shprehi e zakonshme duke e llogaritur si një punë.” – shtoi ai.
Ndërkohë gjimnazisti G.M. 17 vjeçar theksoi se ai vazhdimisht është klient i bastores sportive dhe parat që prindërit ia japin për në shkollë ai i harxhon duke luajtur tiketa sportive. Ai më tej shton: “Kur luhen lojërat derbi mes ekipeve, shuma më e madhe e parave qe paguaj për një tiketë arrin edhe deri në 50 euro.”
Në një vizitë te një bastore mësuam që ka edhe nga ato prindër për të cilët këto lojëra tashmë kanë marrë përmasat e një sëmundje dhe shfrytëzojnë edhe parat e fundit të fëmijëve të tyre për të vendosur baste.
“Kam mbi pesë vite që vendos tiketa sportive por kam fituar shumë pak. Shkaku që unë fillova ishte mospasja e mundësisë për të gjetur një punë. Tani edhe ato pak para që dikush ju jep fëmijëve të mi si lëmoshë, ua marr dhe i drejtohem bastores. Kjo gjë shpesh më ka shkaktuar depresion, stres dhe probleme familjare.” – tha A.B. person i moshës mesatare, baba i dy fëmijëve.
Sipas ekspertit ekonomik, Sinisha Naumovski, nëse për herë të parë vjen në një qytet dhe nuk e ke idenë nëse ndodhesh në një qytet të varfër ose të pasur, shih numrin e taksive dhe bastoreve në atë qytet, ky është tregues për një varfëri të skajshme. 
“Kërçova është një qytet i vogël dhe 5500 të papunësuar që figurojnë të regjistruar në Qendrën për punësim, janë shumë, duke pasur parasysh që po kaq mund të jetë numri i atyre që akoma nuk janë regjistruar në këtë qendër. Bastoret janë të koncentruara në këto qytete me numër të madh të papunësuarish.”
Lojërat e fatit  e veçanërisht bastoret sportive janë të stërmbushura ditëve të vikendit kur zhvillohen më tepër lojërat futbollistike të ligave të ndryshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button