Nxënësit masivizojnë protestat, si do të kompensohen ditët e humbura në arsim?

Nxënësit e disa shkollave të mesme në Maqedoni janë duke bojkotuar mësimin tani më dy javë, me ç’rast duke mbledhur ditët e humbura gjatë grevës së profesorëve dhe protestave që i organizuan vetë ata, i bie të kenë humbur një muaj nga zhvillimi i mësimit.

Nga Inspektorati shtetëror i arsimit bëjnë të ditur se drejtorët e shkollave të mesme në të cilat nxënësit janë duke e bojkotuar mësimin duhet të dorëzojnë një plan se si të kompensohen orët e humbura.

“Drejtorët janë të detyruar që të dorëzojnë pranë inspektoratit planin se si do të kompensohen orët e humbura nga nxënësit dhe ata që nuk do e bëjnë këtë do të merren masa ndëshkimi. Gjithashtu do të ketë kontrolle të rregullta ku do të mbikëqyret zhvillimi i mësimit në shkollat e mesme të Maqedonisë. Inspektorët do të kontrollojnë se a po zhvillohet mësimi në përputhje me planprogramin dhe orët që duhen realizuar në lëndë të caktuara”, thonë nga Inspektorati.

Nga ana tjetër dita ditës vazhdojnë të kyçen më shumë nxëns dhe shkolla në bojkotin e mësimit, të cilët po ashtu publikuan edhe një video në të cilën shprehën atë që kërkojnë, të ndryshojnë reformat në arsim.


Prindërit e nxënësve shprehen të brengosur dhe apelojnë deri tek ministri i arsimit që të bisedojë dhe të bashkëpunojë me nxënësit.

“Nxënësit, fëmijët janë e ardhmja jonë, duhet të kujdesemi për ata. Jemi të brengosur se çka do të ndodh, ata janë maturant dhe këto ditë e fundit janë shumë të rëndësishme për suksesin e tyre, kurse ata po i humbasin duke bojkotuar. Unë dhe personat që i njoh, që i kemi fëmijët maturantë apelojmë deri tek ministri që sa më shpejt të zgjidh këtë problem”, tha Aleksandar Tasevski, prind.

Nxënësit shqiptarë përveç se në Tetovë, ende nuk kanë vendosur që t’i bashkëngjiten bojkotit të mësimit madje disa janë të bindur që ata janë të politizuar.

“Ne nuk protestojmë sepse nuk kemi mbështetje. Maqedonasit kanë mbështetje nga partia maqedonase në opozitë andaj mund të bojkotojnë të qetë. Çka do të ndodh me neve po bojkotuam. Frikësohemi se gjendja është politizuar dhe mund të shkaktoj dëme sidomos nëse neve bojkotojmë”, tha një nxënës shqiptar.

Ndërkaq nga ana tjetër ministri i arsimit, Abdilaqim Ademi ende nuk ka vendosur që të takojë nxënësit, edhe pse kohë më parë tha që është duke shqyrtuar agjendën dhe se do t’i ftojë në takim së shpejti maturantët që bojkotojnë.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button