RTVM organizoi debat me temën  “Çfarë servisi publik i nevojitet Maqedonisë”

Kriza politike në vend dhe protestat e organizuara para  RTVM-së shtyn Redaksia që të paraqitet në debat .

Në organizim të SHGM-së, një pjesë e udhëheqësisë  së programit të parë të TVM-së biseduan me gazetarë, profesorë dhe Agjencinë për mediume në temën “Çfarë servisi publik i nevojitet Maqedonisë”. Që në fillimin e debatit në fokus u vendos çështja- Si nuk duhet të jetë servisi  publik.  Profesori universitarë Sefer Tahiri u konfrontua me kryeredaktorin e kanalit të parë të TVM-së, Dime Ratajkovski rreth vendimit të mos publikohen bombat e opozitës me rekomandim të prokurorisë publike.

“Ju duhet të jeni të pavarur. Të mos pranoni kurrfarë instruksioni nga asnjë organ shtetëror. Nesër mund t’ju thotë prokurori publik shuajeni programin informativ. Çfarë do të bëni. Do ta shuani?”, pyeti Sefer Tahiri, profesor universitar.

“Do ta shuaj”, u përgjigj Dime Ratajkovski – kryeredaktor i TVM-së.

“Do ta shuash?”, pyeti sërish Tahiri.

“Ju lutem, futeni në debate filozofike që absolutisht nuk qëndrojnë”, tha Ratajkovski.

“Mendoj se kjo përgjigje është shumë e mirë dhe tregon për nivelin dhe cilësinë e njerëzve që menaxhojnë me TVM-në”, u shpreh Tahiri.

“Ja unë flas. Unë, Gorani, Biljana, Dushko, do ta shuajmë”, u shpreh Dime Ratajkovski – kryeredaktor i TVM-së.

Paraprakisht kryetari i SHGM-së Naser Selmani, e akuzoi qeverinë se e ka vënë nën kontroll servisin publik.

“Pushteti nuk do servis publik dhe mediume të lira. Ata treguan se nuk mund të sundojnë pa kontroll mbi mediumet sepse kanë problem me të vërtetën. Përmes kontrollit mbi mediumet dëshirojnë ta fshehin papërgjegjësinë, paaftësinë dhe abuzimet e pushtetit”, u shpreh Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.

Pas akuzave nga Selamni, në mbrojtje të TVM-së doli kryeredaktori i TVM-së, Dime Ratajkovski dhe njeriu i parë i Agjencisë për shërbime audio dhe audio vizuale, Zoran Trajçevski.

“Radio televizioni i Maqedonisë është institucion i themeluar nga shteti dhe i mbron dhe përfaqëson interesat e shtetit. Këtë ne po e bëjmë për momentin dhe do përpiqemi të qëndrojmë në këtë nivel dhe ta mbrojmë edhe në të ardhmen”, tha Dime Ratajkovski, kryeredaktor i TVM-së.

“Protestat që organizohen para TVM-së janë presion serioz ndaj mediumeve”, theksoi Zoran Trajçevski, drejtor i Agjencisë për shërbime audio dhe audio vizuale.

Një nga iniciuesit e debatit si anëtarë i SHGM-së, Sasho Ordanovski, tha se kryesia e TVM-së dhe Agjencisë së mediumeve, shkelin shumë ligje me mënyrën e informimit dhe ai personalisht kërkoi përgjegjësi për këtë. Redaktori i programit informativ, Goran Petreski replikoi se këto janë mendime subjektive.

“Unë ju ftoj edhe kryeredaktorin edhe redaktorin përgjegjës i shërbimit informativ të jepni dorëheqje. Kjo do të jetë gjëja më e vogël që mund ta bëni për ta përmirësuar perspektivën e servisit publik. Çfarë servisi publik duam? Kjo është shumë e thjeshtë. Gjithë atë që e duam për servisin publik qëndron në ligj. Ju për momentin, udhëheqësia e TVM-së dhe Agjencisë së mediumeve, drejtori i të cilës është i obliguar ta zbatojë ligjin, shkelni diku 20 obligime ligjore”, tha Sasho Ordanovski, Forumi i gazetarëve SHGM.

“Ne bëjmë gjithçka që mundemi në rrethana të këtilla politike për ta dhënë më të  mirën tonë. Ndoshta kjo nuk mjafton, ndoshta nevojiten dorëheqje, ky është mendim subjektiv”,  u shpreh Goran Petreski, Redaktor përgjegjës i TVM-së.

Në debatin që zgjati dy orë u shkëmbyen shumë replika edhe nga pjesëmarrës tjerë, por kishte edhe fajësime personale. Për qëllimin e debatit u dëgjua shumë pak, pa propozime konkrete- sipas cilit model duhet të financohet TVM-ja që të jetë nën ndikimin sa më të vogël të politikës. Megjithatë, në përgjithësi të gjithë pjesëmarrësit e përshëndetën debatin me vullnet të mirë që të organizohet debat i ri, sipas mundësisë edhe në servisin publik.

Lajme të ngjashme

Back to top button