Thaçi paralajmëron protestë të dhunshme më 18 Prill

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar sot se protesta e opozitës e paralajmëruar për 18 prill do të jetë e dhunshme.

Të paktën, këtë paralajmërim e përmendi vetë Thaçi gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë.
“Dua të potencoj se edhe paralajmërimi për protestë violente është mesazhi më i keq për aktualitetin politik, institucional dhe euroatlantik të Kosovës”, tha Thaçi.

Ai tha se paralajmërime të tilla më së paku i shkojnë për shtati Kosovës.

Sipas tij, realizimi i të drejtave politike nuk mund të realizohet përmes shantazheve e kërcënimeve.

“Vë theks të veçantë se paralajmërimet për të dërguar mesazhe të tjera politike, në veçanti për të cenuar institucionet e pavarura të vendit tonë, do të dërgojnë mesazhin më të keq të mundshëm për të sotmen dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës. Realizimi i të drejtave politike mund të bëhet përmes procesit të rregullt demokratik zgjedhor dhe jo përmes shantazheve, kërcënimeve apo përpjekjeve të dhunshme për marrjen e pushtetit” shtoi Thaçi, transmeton Kallxo.com

Thaçi tha se në këto ditë kur pritet edhe opinion i Gjykatës Kushtetuese për Gjykatën Speciale, të krijohet një situatë e tillë tensionuese në Kosovë, është përpjekje për të mos pasur sukses Kosova në këtë proces.

“Këtë proces ne nuk duhet ta marrim në asnjë rrethanë si ndëshkim apo si bllokim për shtetin e Kosovës, por si përparësi dhe ecjen përpara. Në anën tjetër, synimi i sulmeve ndaj institucioneve të pavarura të drejtësisë – Gjykatës Kushtetuese, është cenim i drejtpërdrejtë i institucioneve të respektuara edhe ndërkombëtarisht i Kosovës”, tha Thaçi./Indeksonline/

Lajme të ngjashme

Back to top button