Grabar Kitaroviq: Ftesë për anëtarësim në NATO, sapo të zgjidhet çështja e emrit

Kjo është porosia e ndihmëses së sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për diplomaci publike, Kolinda Grabar Kitaroviq, pas takimit të sotëm me ministrin e Mbrojtjes, Talat Xhaferi. NATO, përkujtoi ajo, është aleancë e 28 shteteve anëtare sovrane, të cilat funksionojnë në bazë të parimit të konsensusit. Kjo do të thotë se të gjitha shtetet duhet të dakordohen, përkatësisht asnjëra nuk mund të jetë kundër cilido vendim.

“Ftesa mbetet e hapur edhe kur do të zgjidhet kontesti rreth emrit, NATO-ja nuk është e kyçur në atë kontest, ajo është kryesisht çështje bilaterale politike e cila duhet të zgjidhet. NATO nuk përzihet në politikë të brendshme të shteteve – anëtare dhe nuk e komenton politikën e brendshme.

Në këtë rast ne do ta përshëndesim zgjidhjen të cilën do ta arrinjë në marrëveshje me shtetin fqinj”, u përgjigj Grabar Kitaroviq në pyetjen e gazetarëve, si Aleanca me mekanizëm konkret apo diplomaci publike mund ta ndihmojë Maqedoninë për ta tejkaluar bllokadën nga një vend – anëtar, duke pasur parasysh faktin se vendi tashmë një kohë të gjatë i ka përmbushur në tërësi të gjitha kriteret për anëtarësim të barabartë.

Ajo potencoi se dyert e NATO-s mbeten të hapura, por ai është proces që bazohet në merita dhe në atë drejtim duhet të vazhdohet me reformat dhe kriteret e domosdoshme për secilin aspirant për anëtarësim.

Sipas saj, rruga drejt anëtarësimit është po aq e rëndësishme sa edhe vetë anëtarësimi. “Ju inkurajoj që ta shfrytëzoni kohën dhe procesin dhe të vazhdoni me reformat në mbrojtje, me atë që trupat tuaja do t’i bëni më të sistemuara dhe më interoperative dhe do të vazhdoni të fokusoheni në prioritetet e caktuara në Strategjinë nacionale të sigurisë, por edhe të vazhdohet me procesin e përforcimit të institucioneve, rritjen e transparencës, luftën kundër korrupsionit dhe lirinë e mediave”, deklaroi Grabar Kitaroviq, duke shtuar se këto ishin edhe çështjet të cilat dje u diskutuan gjatë takimit në Bruksel.

Grabar Kitaroviq u falënderua për pjesëmarrjen e pjesëtarëve të ARM-së në misionet paqësore, posaçërisht në misionin ISAF në Afganistan, ku, potencoi, është e impresionuar nga profesionalizmi dhe trimëria e paqeruajtësve të Maqedonisë, të cilët mes të tjerash, me guxim iu kundërvunë disa sulmeve të komandës në Kabul.

Minsitri i Mbrojtjes, Talat Xhaferi dhe Grabar Kitaroviq sot do ta vizitojnë dhe do të kenë ligjërata në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Gjatë vizitës njëditëshe, Grabar Kitaroviq do të takohet edhe me kryetarët e komisioneve kuvendore për politikë të jashtme dhe për mbrojtje dhe siguri, Antonio Milloshoski dhe Vllatko Gjorçev dhe me shefen e delegacionit në Asamblenë parlamentare të Organizatës veriatlantike, Ermira Mehmeti.

Lajme të ngjashme

Back to top button