Ndahen diplomat në Fakultetin e Shkencave Islame

Në Fakultetin e Shkencave Islame- Shkup u bë sot ndarja e diplomave të të diplomuarve dhe hapja solemne e vitit akademik 2013/14. 

Pjesëmarrës në këtë solemnitet ishte kreu i BFI-së në R.M, H. Sulejman ef. Rexhepi, sekretari i BFI-së, Afrim ef. Tahiri, Dekani i FSHI-së, dr. Fahrudin Ebibi si nikoqir, muftitë e BFI-së, Drejtori i Medresesë Isa Beu, Prfo. Ibrahim Idrizi, profesor, student, etj. 

Me këtë rast fjalë përshëndetëse kishte Dekani i FSHI-së, Doc. Dr. Fahrudin Ebibi i cili fillimisht përshëndeti të pranishmit, Reis ul Uleman, H. Sulejman ef. Rexhepi, Sekretarin e Përgjithshëm të BFI-së, Muftitë e Muftinive të BFI, drejtorin e Medresesë Isa Beu, profesorët, studentët dhe të pranishmit. 

“Ndjehemi të kënaqur që në mënyrë zyrtare po bëhet ndarja e diplomave për të diplomuarit në këtë institucion shkencor, veprimtaria e të cilëve duhet kurorëzuar, andaj për ndarjen e tyre ekskluzivisht sot merr pjesë kryetari i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi, i cili njëherit do të bënë ndarjen e tyre. Shfrytëzoj rastin që të gjithë atyre që kanë përfunduar tu dëshirojmë suksese në jetë dhe perspektiva e tyre qoft e begatshme. Të jenë edhe më tutje në shërbim të fesë dhe gjithë atë që e lidhë me qenien e njeriut”, ka deklaruar Ebibi. 

Fjalë rasti kishte edhe Reis ul Ulema, H. Sulejman ef. Rexhepi, ka shprehur kënaqësinë e tij për takimin me studentët “në këtë tempull të shkencës, të asaj që studiuam për të ndërtuar të ardhmen tonë, për të ngritur edhe më lartë autoritetin dhe dinjitetin tonë, për të treguar kredibilitetin e BDI, për të fuqizuar edhe më tej pozitën tonë intelektualo-fetare dhe për të avancuar popullin në rrugën e vërtet dhe të sigurt”. 

“Të gjithë ju që jeni këtu për të marrë diplomat zyrtare nga Fakulteti i Shkencave Islame ku edhe keni përfunduar studimet, më flet për pjekurin e juaj që keni si strukturë dhe kuadro fetar këtu në Maqedoni, themi ashtu ngase kemi me çka të mburremi sot dhe tutje në perspektivë. Ky institucion shkencorë ndërtoi tek ju koncepte të patundshme për aspiratat e juaja dhe për shtigjet të ecurive në botën që po vjen. Aktualiteti po flet mjaft tepër se cilat do të jenë sfidat me të cilat do të përballeni në të ardhmen, por forca e juaj intelektuale e ndërtuar mbi baza të shkencave Islame do të tejkalon çdo barrierë. Pajisja e juaj me dije dhe njohura bënë që personaliteti i juaj të jetë i respektuar dhe nderuar tek masa e gjerë, andaj vepra e juaj e shenjtë fetare, humane, njerëzore dhe mbi të gjitha intelektuale ka bërë që të keni një pozitë të veçantë”, ka deklaruar kreu i BFI-së.

Më tej, ef. Rexhepi është shprehur edhe mbi rolin që duhet të luajë kjo strukturë në shoqëri dhe më gjerë.

“Roli juaj është dhe do të jetë të shërbeni fesë, kombit, vatanit dhe mbarë shoqërive, të ndihmojmë fillimisht vëllezërit tanë duke sjellë qëndrime intelektuale që kanë bazë në dy burimet e pashterura islame nga Kurani dhe vepra e Muhamedit a.s. dhe të njëjtat të ndiqen në çdo kohë dhe vend. Dija e juaj duhet të dominon në çdo debat dhe komunikim, në çdo takim dhe organizim, në çdo konferencë dhe tryezë e rrumbullakët, të realizohen me kulturë fetare dhe me mençuri. Gjithnjë opinioni i juaj të jetë dominant dhe i paluhatur. Shpalosni ide të reja dhe kontribuoni gjithandej të tejkalohen keqkuptimet, të paqartat, të pavërtetat dhe trillimet, ngase ju kur flitni nuk e bëni me gjuhën e juaj, por atë e bëni me gjuhën e Kuranit”, ka vijuar ef. Rexhepi.

Ai ka përmbyllur këtë solemnitet duke bërë hapjen zyrtare të fillim vitit akademik 2013/14 për studentë në Fakultetin e Shkencave Islame – Shkup.

Lajme të ngjashme

Back to top button