Maqedoni, për 5 vite 142 vrasje

Vetëm pesë vitet të fundit policia nuk ka arritur të zbardh autorët e plotë 19 vrasjeve, që do të thotë se të paktën 19 persona, me supozim që çdo vrasje të ketë vetëm një autor, vazhdojnë të lëvizin dhe të jetojnë të lirë. Gjatë pesë viteve të fundit në Maqedoni kanë ndodhur 142 vrasje, shkruan Koha.

Vrasja e 23 vjeçarit Adil Sulejmani nga fshati Buzallakovë e Velesit ende nuk dihet nga kush është kryer. Policia ende nuk e ka gjetur autorin apo autorët. I riu shqiptar u gjet pa jetë i ekzekutuar me dy goditje me thikë në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, por katër muaj më vonë organet e rendit thonë se nuk kanë arritur të zbardhin arsyet ose motivet dhe as autorin që i morri jetën të riut në një shtëpizë në afërsi të qytetit të Velesit, ku familja e tij në një parcelë kishte shitur dru. “Për momentin nuk kemi informata që mund të bëhen publike. Mund të them që kemi biseduar me të gjithë shokët dhe njerëzit që e kanë njohur viktimën, por nuk mund të japim detaje më të hollësishme lidhur me vrasjen e vetme që ka mbetur e pazbardhur që ka ndodhur në rajonin e Velesit”, thotë për KOHA Anita Stojkovska, zëdhënësja e policisë së Velesit.

Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme zbardhin se përveç autorit ose autorëve që i morën jetën të riut nga fshati Buzallakovë në liri mbeten dhjetëra e dhjetëra persona të tjerë, të cilët në rrethana dhe për arsye të ndryshme morën jetë njerëzish. Sipas të dhënave të siguruara nga KOHA, vetëm pesë viteve të fundit policia nuk ka arritur të zbardhë autorët e plotë 19 vrasjeve, që do të thotë se të paktën 19 persona, me supozim që çdo vrasje të ketë vetëm një autor, vazhdojnë të lëvizin dhe të jetojnë të lirë.

“Pesë viteve të fundit, më saktësisht nga viti 2010 e deri në fund të vitit të kaluar, në Maqedoni kanë ndodhur 142 vrasje. Pjesa dërmuese e këtyre vrasjeve janë zbardhur, por pa u zbardhur mbeten 19 nga vrasjet. Hetimet e vrasjeve të pesë viteve të fundit kanë vërtetuar se pjesa dërmuese e tyre ose 68 për qind vrasjeve janë kryer me përdorimin e armëve të zjarrit”, tha Ivo Kotevski, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në vitin 2010 në Maqedoni janë regjistruar dyzet vrasje, tre nga të cilat kanë mbetur pa u zbardhur. Sipas të dhënave zyrtare, dy nga këto vrasje kanë ndodhur në Shkup, ndërsa krimi i tretë që ka mbetur pa autor ka ndodhur në rajonin e Kumanovës. Statistikat e policisë tregojnë që në vitin 2011 numri i vrasjeve është ulur në një masë të madhe. Të njëjtin vit policia vendase ka regjistruar 11 vrasje më pak ose 29 krime, katër nga të cilat edhe sot e kësaj dite mbeten pa autorë. Rreth katër vjet më vonë policia nuk arriti të zbardh dhe të identifikojë autorët e dy vrasjeve që ndodhën në rajonin e Kumanovës, një tjetër që ndodhi në rajonin e Velesit dhe vrasjen e katërt që u regjistrua në Shkup. Në 2012-ën organet e rendit regjistruan 28 vrasje. Hetimet dhe kërkimet përkatëse ndërkohë rezultuan me zbardhjen e 25 vrasjeve, por tre nga krimet, që ndodhën në rajonin e Shkupit, mbetën pa autorë. Në vitin 2013 numri i vrasjeve u ul në 20, por organet e rendit vazhduan të evidentojnë vrasje profesionale, autorët e të cilave arritën t’u shmangen me sukses prangosjes dhe burgosjes. Të njëjtin vit organet e rendit nuk arritën të zbardhin pesë vrasje, katër nga të cilat ndodhën në rajonin e Shkupi dhe një tjetër që ndodhi në rajonin e Tetovës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, vitin e kaluar në Maqedoni u regjistruan 25 vrasje, pesë nga të cilat mbetën pa u zbardhur. Përfshirë vrasjen që ndodhi në fillim të dhjetorit në Veles, policia nuk arriti të gjej as autorët e dy vrasjeve që ndodhën në Shkup dhe një tjetër që ndodhi në Gostivar. Statistikat policore vërtetojnë që viti me më shumë vrasje ka qenë 2003-ta, kur janë vrarë 75 persona. Të njëjtin vit policia zbardhi 57 nga vrasjet, duke arritur një efikasitet prej 76 për qind.

Lajme të ngjashme

Back to top button