Sot fillon viti akademik 2013/2014

Për studentët sot fillon viti i ri mësimor 2013/2014. Ora e parë akademike solemnisht do të shënohet në fakultete, ndërsa në disa prej tyre edhe në prani të përfaqësuesve të Qeverisë.

Zëvendëskryeministri i angazhuar për çështje ekonomike do të flasë në orën e parë akademike në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Shkupit. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Spiro Ristovski dhe rektori i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Velimir Stojkovski do të marrin pjesë në orën e parëakademike në Fakultetin natyrror-matematikor, ndërsa zëvendësminsitri i Arsimit dhe Shkencës, Safet Neziri do të jetë në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Në pesë universitetet publike, në Shkup, Manastir, Tetovë, Shtip dhe Ohër, këtë vit ishin të lira 25.624 vende për studentë të rinj, prej të cilave 10.351 në Universitetin në Shkup, i cili dje e shënoi fillimin e vitit të ri akademik në Fakultetin e Teologjisë.

Kuadri nga shkencat natyrore-matematikore dhe ato teknike është deficitar dhe për këtë arsye Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëri thirrje që kandidatët të mendojnë për to sepse do të kenë më shumë mundësi për punë pas diplomimit.

Për studentët e rregullt në kuotën shtetërore participimi këtë vit në fakultete është 200 euro, ndërsa për ata të cilët do t’i bashkëfinancojnë studimet, çmimi për një vit të studimeve është 400 euro, edhe pse ka edhe çmime më të ulëta me vendim të vetë fakulteteve. Si edhe viteve të kaluara, çmimi i programeve të disperzuara është 100 euro në vit. Për regjistrim në vit të parë në universitetet shtetërore pati dy afate – në gusht dhe në shtator. Fakultetet në të cilat ende ka vende të lira do të regjistrojnë studentë edhe nesër. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button