Arsimi i detyrueshëm në shkollat që nuk plotësojnë kushtet minimale !

Avokati i Popullit Ixhet Memeti theksoi mungesën e kushteve elementare në disa shkolla të Maqedonisë, duke shtuar se arsimi është i detyrueshëm dhe në këto kushte shteti shkel kushtetutën dhe ligjet.

“Edhe pse e drejta e arsimit është e detyrueshme me ligj, akoma ka shkolla të cilat nuk i plotësojnë kushtet minimale për zhvillimin e mësimit. Nuk kanë objekte, nuk kanë banka madje disa shkolla nuk kanë edhe mësues. Në këtë mënyrë bëhet shkelje e kushtetutës si dhe ligjit për arsim të detyrueshëm”, tha Memeti.

Sa i përket testimit ekstern, Memeti tha se ashtu siç u liruan mësimdhënësit nga dënimi si rezultat i këtij testimi, duhet të lirohen edhe nxënësit nga shënimi i notave që merren në këtë testim.

“Për mësimdhënësit u tërhoq vendimi për dënime, mirëpo për nxënësit testimi ende zbatohet dhe kjo shkel të drejtat e fëmijëve, sepse atyre u ulet suksesi nga notat që marrin në testime, duke pasur parasysh gabimet dhe lëshimet që i pamë në këtë testim”, tha Memeti.

Lajme të ngjashme

Back to top button