Kupa e Botës rikthehet në Brazil

11 vjet nga triumfi në Japoni dhe Korenë e Jugut, Kupa e Botës u rikthye në tokën e futbollit, në Brazil. Nëntë muaj nga starti i Botërorit, organizatorët ekspozuan nën hijen e statujës së Jezu Krishtit në Rio De Zhaneiro, trofeun më të dashur të futbollit.

Në ceremoni merrnin pjesë disa prej kampionëve të së kaluarës, të përfaqësueses më të titulluar të globit, si Bebeto, fitues i trofeut në vitin 1994, Mario Zagallo kampion në 1958 dhe 1962 si lojtar dhe 1970 dhe 1994 si trajner apo dhe Roberto Rivelinjo triumfator në 1970.Zagallo madje, që mban dhe rekordin e kupave të fituara, nuk nguroi ta puthte dhe një herë trofeun prestigjoz si për të kujtuar kohët e vjetra.

Në Ceremoni kishte një numër të madh tifozësh, që ishin të pranishëm në startin e rrugëtimit të Kupës së Botës, fillimisht në të gjithë Brazilin dhe më pas në mbarë globin.

Ministri i Sporteve, Luis Fernandes, e cilësoi botërorin e vitit të ardhshëm, si një shans të mirë për të flakur tej fantazmat e disfatës së finales së vitit 1950 me Uruguajin, që dhe sot e kësaj dite konsiderohet si dita më e errët e në sportin e këtij vendi: “Për brazilianët ka vetëm një rrugë. Ne e kemi fituar Kupën e Botës 5 herë. Mund ta fitojmë atë dhe 10 apo 15 herë të tjera, por nëse nuk triumfojnë vitin e ardhshëm në vendin tonë, fantazmat e 1950 do të vazhdojnë të na persekutojnë. Në 2014 ne kemi mundësinë të zhdukim çdo hije që na persekuton dhe ne besojmë te kombëtarja jonë”.

Në total Kupa e Botës, do të udhëtojë nëpër 27 qytete në Brazil dhe 89 vende të tjera në mbarë botën.

Lajme të ngjashme

Back to top button