Kusari Lila u kërkon falje qytetarëve për kufirin

Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari Lila ka thënë se ka gjasa që situate bllokuese me Maqedoninë të mos përfundojë deri në fillim të javës së ardhshme.

Në emisionin Interaktiv të KTV-së ajo u ka kërkuar falje të gjithë qytetarëve të Kosovës që janë prekur në mënyrë direkte nga bllokadat në kufi me Maqedoninë që tashmë po zgjasin disa ditë. Ajo ka thënë se qasja e Maqedonisë ka qenë e gabueshme, dhe se vendimi i Kosovës ka të bëjë edhe me faktin se vendi duhet të tregohet i barabartë në të gjitha raportet me fqinjët.

Kusari – Lila pohoi Kosova ka pritur deri më 2 shtator kur Maqedonia kishte premtuar se do të hiqte embargo për miellin, dhe pasi që kjo nuk ka ndodhur ka vepruar. Duke folur për tema të tjera, Kusari – Lila ka thënë se kurrë nuk i ka thënë Ilir Dedës se paratë e KEK-ut i kanë marrë anëtarët e kabinetit qeveritar dhe se deklarata e deri tash mikut të saj të mirë, e ka befasuar. Ajo e ka ftuar Dedën të shkojë në gjykata, nëse ka informacione.

Sa i përket shkarkimit të Fadil Malokut nga KQZ-ja ajo tha se largimi nuk lidhej me debatin për logon, por për një sërë shkeljesh që sipas saj Maloku i ka bërë e që kanë të bëjnë me keqpërdorim të veturës zyrtare, të telefonave e laptopëve. Kusari – Lila gjithashtu pohoi se Pacollit i ishte ofruar nga shumë njerëz që të blinin vota në emër të tij, porse ai nuk ishte pranuar.

Lajme të ngjashme

Back to top button