“Megjashi”: Në Maqedoni nuk ka bazë qendrore të të dhënave që ka të bëjë me fëmijët

Në Republikën e Maqedonisë nuk ekziston bazë qendrore e të dhënave e cila ka të bëjë me fëmijët, përkatësisht sa prej tyre janë përjashtuar nga arsimi, sa janë në rrugë, sa nuk kanë certifikatë nga libri amë i lindurve, sa nuk janë kyçur në arsimin parashkollor. E gjithë kjo krijon problem dhe hutim kur do të tregojmë gjendje të caktuara të cilat shteti as nuk i konfirmon, e as nuk i përgënjeshtron.

Këtë e theksoi në konferencën e sotme për shtyp drejtori ekzekutiv dhe themeluesi i ambasadës së parë të fëmijëve në botë “Megjashi”, Dragi Zmijanac, i cili tha se vetëm në Kumanovë ka 330 fëmijë të cilët nuk janë evidentuar në çertifikatën e librit amë të të lindurve, ndërsa në Shuto Orizarë ka rreth 500 fëmijë të tillë, dhe se këto janë informata nga organizatat partnere.

“Nëse në dy komuna ka 830 fëmijë të cilët aspak nuk janë përfshirë në çertifikatën e librit amë të prindërve, cila është shifra me komunat tjera në pjesën tjetër të shtetit?”, pyeti Zmijanac.

Në prezantimin e një pjese të rekomandimeve të nxjerra nga raporti për realizimin e të drejtave të fëmijëve në Republikën e Maqedonisë të përgatitur nga koalicioni nacional i Maqedonisë i organizatave joqeveritare për të drejtat e fëmijës, tregoi se ato përfshijnë vendosjen e arsimit seksual gjithpërfshirës në shkollat fillore dhe të mesme, si dhe informim të veçantë për shëndetin seksual dhe riprodhues, ndërsa veçanërisht për HIV-in dhe SIDA-n, ndërsa vetëqeverisja lokale të formojë buxhet për shëndet seksual dhe riprodhues.

Ajo që veçanërisht brengos në vazhdimësi, potencoi ai, është se në Republikën e Maqedonisë nuk ka qendra për rehabilitim dhe risocializim të fëmijëve të cilët përdorin drogë. Duhet, potencoi ai, të hapen programe për punë me familjet, fëmijët e të cilëve janë përdorues të drogës. 

Një pjesë e rekomandimeve të cilat kanë dalë nga raporti përfshijnë: gjatë ndërtimit dhe rikonstruimit të shkollave të vjetra në të reja të ndryshohen standartet për qasje që të mundësohen kushte për qasje dhe funksionim të pavarur të nxënësve me nevoja të veçanta në hapësirën shkollore, përfshirje më të madhe të prindërve të fëmijëve me nevoja të veçanta në programet për zhvillim fëmijëror të hershëm, vendosjen e sistemit për ndjekjen e gjendjes me fëmijët të cilët përdorin droga, të mundësohet trajtim nga varësia e drogave të bazuara në mjekësi për të gjithë fëmijët. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button