U mohohet e drejta për t’u ankuan lidhur me testimin ekstern!

Nxënësit e shkollave të mesme ankohen se pedagogët e shkollave pa asnjë arsye nuk kanë lejuar që ata të refuzojnë notën e testimit ekstern, apo të kërkojnë përsëritjen e tij.

“Kam provuar të bëj një ankesë lidhur me notën që kam marr në testin ekstern por na thanë që ankesë bëhet vetëm në rast se gjatë testimit kemi pasur gabime teknike, tjetër ankesë nuk pranojnë”, tha për Portalb një nxënës i shkollës së mesme “Cvetan Dimov”, cili deshi të mbetet anonim.

Ai shtoi se nuk është i vetmi që ka kërkuar dhe i është mohuar kjo gjë.

“Nota e testimit ekstern reflekton në dëftesën e shkollës dhe ndikon në  suksesin e përgjithshëm të nxënësit andaj duhet të pranohet ankesa. Por ja që ne e lamë, kur na thanë kështu nuk insistuam më tutje që të ankohemi”, tha  ai.

Sipas nxënësve të shkollave të mesme edhe këtë vit testimi ekstern ishte skandaloz, me gabime të shumta si në përkthime ashtu edhe në përmbajtje, me ç’rast u publikuan mjaft fotografi të testimit të cilat dëshmuan atë që thonin me vite nxënësit.

“Nuk e di si mund të testohemi në atë mënyrë, gjysma e pyetjeve ishin shqip e gjysma në gjuhën maqedonase. Ishin shumë të paqarta dhe normal që kemi gabuar dhe jemi habitur duke mos i kuptuar ato si duhet, dhe tani nuk kemi të drejtë të ankohemi, kjo është e tepërt”, tha një nxënëse e shkollës së mesme të mjekësisë “Pançe Karagjozov”.

Ndërkaq nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), bëjnë me dije se nxënësit kanë të drejtë të ankohen dhe këtë gjë nuk mund të ua mohojë askush.

“Nxënësit të cilët nuk janë të kënaqur me notën e testimit, e cila është më e ulët sesa ajo që kanë, ose që vlerësojnë që kanë ngecur për shkak të gabimeve dhe lëshimeve, kanë të drejtë ligjore që të ankohen në afat prej tre ditëve nga publikimi i rezultateve dhe këtë e kanë të garantuar me ligj dhe nuk mund të ua mohon askush”, thonë nga sektori për informim pranë MASH-it.

Kurse sipas nxënësve në shkolla u thuhet nga pedagogët dhe nga profesorët që nuk mund të ankohen se testimi nuk përsëritet gjë që demoralizon nxënësit e shkëlqyeshëm të cilët për shkak të lëshimeve dhe gabimeve të testit kanë dështuar apo kanë marrë notë më të vogël sesa e meritojnë.

Profesorët e disa nga shkollat e mesme refuzuan të përgjigjen lidhur me këtë çështje, edhe pse vetë ata ishin të cilët kërkonin anulimin e testimit ekstern për shkak të gabimeve që ai përmbante.

LEXO MË SHUMË:

Testimi ekstern lë mësimdhënësit në ankth

Testimi ekstern sërish skandaloz!!

Çfarë problemesh fsheh testimi ekstern?

Xheladini: Testimi ekstern vetëm formalitet dhe harxhim parash

Lajme të ngjashme

Back to top button