“Kampe agjërimi” për të varurit nga interneti

Nëpërmjet “kampeve të agjërimit”, autoritetet japoneze synojnë t’i nxjerrin fëmijët nga bota virtuale dhe t’i inkurajojnë ata që të kenë komunikime të vërteta me njerëzit e tjerë.

Japonia është duke planifikuar që të krijojë kampe të “agjërimit” nga interneti, të cilat do të udhëhiqen nga ekspertë edukativo-arsimorë për t’iu ndihmuar fëmijëve që të ndërpresin varshmërinë e tyre nga bota virtuale. Më shumë se 500.000 fëmijë japonezë, ndërmjet moshave 12 dhe 18-vjeçare, besohet të jenë të varur nga interneti, ndonëse zyrtarët e Ministrisë së Arsimit të vendit aziatik thonë se nxjerrja e shifrave të sakta për shkallën e problemit është gjë e vështirë.

“Ky po bëhet një problem gjithnjë e më i madh”, ka thënë Akifumi Sekine, zëdhënës i ministrisë, për “The Daily Telegraph”. “Ne llogarisim se ky problem prek rreth 518.000 fëmijë të shkollave të mesme të ulëta dhe të mesme të larta në mbarë Japoninë, mirëpo shifra është duke u rritur dhe mund të ekzistojnë edhe më shumë raste, meqë ne nuk i dimë të gjitha”, është shprehur Sekine.

Ministria e Arsimit e Japonisë është duke planifikuar një projekt gjithëpërfshirës hulumtues për varshmërinë nga interneti në vitin e ardhshëm fiskal, dhe i ka kërkuar qeverisë që të financojë programet e planifikuara për t’i larguar fëmijët nga kompjuterët dhe nga telefonat e tyre mobilë.
“Ne duam t’i nxjerrim fëmijët nga bota virtuale dhe t’i inkurajojmë ata që të kenë komunikime të vërteta me fëmijët e tjerë dhe me të rriturit”, ka thënë Sekine. Ministria e Arsimit, zëdhënës i së cilës është ai, ka propozuar që të krijojë kampe “agjërimi” në qendra të hapura edukative dhe në institucione të tjera publike në vend, ku fëmijët japonezë nuk do të mund të përdorin internetin.

Të rinjtë japonezë do të inkurajohen që të marrin pjesë në aktivitete të hapura, në sporte dhe lojëra ekipore, teksa psikiatrit dhe fizioterapeutët klinikë do të gjenden vazhdimisht pranë tyre për t’u ofruar atyre këshilla në rast se rikthimi i tyre në botën e vërtetë rezulton shumë traumatik. Shkalla e varshmërisë së adoleshentëve japonezë nga interneti është zbuluar më parë këtë muaj, pas publikimit të një hulumtimi të parë mbarëkombëtar për varshmërinë nga interneti.

Një ekip hulumtues, i kryesuar nga profesori i universitetit “Nihon”, Takashi Oida, u ka dhënë pyetësorë rreth 140.000 nxënësve në mbarë vendin ndërmjet tetorit të vitit 2012 dhe marsit të vitit 2013, për të përcaktuar se sa e përdorin ata internetin. Hulumtuesit kanë marrë rreth 98.000 përgjigje.

Nga të anketuarit, nja 7.952 e tyre, apo 8.1 për qind, janë konsideruar të varur “patologjikë” nga interneti. Nja 23.2 për qind kanë thënë se kanë përjetuar vështirësi për të fjetur, përderisa 15.6 për qind e tyre kanë thënë se janë zgjuar shpesh natën. Varshmëria nga interneti është shkaktar i çrregullimit të gjumit dhe të ngrënies në gjithnjë e më shumë të rinj në Japoni, përderisa rastet ekstreme kanë çuar në simptoma të depresionit dhe të trombozës së thellë të venave, kryesisht në mesin e pasagjerëve në kushte të parehatshme gjatë fluturimeve të gjata. Studimet kanë sugjeruar se varshmëria nga aktivitetet “online” gjithashtu po ndikon në rezultatet e fëmijëve në mësime.(Tribuna)

Lajme të ngjashme

Back to top button