PS dhe LSI bashkë edhe në Zgjedhjet Lokale

Kryeministri dhe lideri i PS-së, Edi Rama dhe kreu i Kuvendit dhe i LSI-së Ilir Meta, janë takuar të dielën në selinë e Partisë Socialiste për të diskutuar përmbylljen e marrëveshjes për zgjedhjet lokale.

Rama shoqërohej në takim nga kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, dhe deputeti Taulant Balla. Ndërsa zoti Meta shoqërohej nga kreu i grupit parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili.

Pas përfundimit të takimit, kryeministri Rama tha për mediat se pret nga LSI-ja propozim për kandidatë për këto njësi vendore: Berat, Lezhë, Gjirokastër, Kukës, Pogradec, Kuçovë, Skrapar, Vorë, Bulqizë, Cërrik, Mallakastër, Delvinë, Prrenjas, Selenicë dhe Kolonjë.

“Ishte një takim për të finalizuar fazën e parë të procesit. Kemi konkluduar në parim që në zgjedhje do të paraqitemi me kandidatë të përbashkët. Nuk do të ketë ndarje mekanike të njësive vendore, por çdonjëra nga partitë do të propozojë për një numër njësish dhe do të ketë të drejtën e votës për të dhënë konsensus për kandidatin e propozuar nga partia tjetër”, deklaroi kreu i qeverisë.

Në lidhje me kërkesat e PDIU-së për bashkitë e Konispolit, Patosit, Rrogozhinës, Peqinit dhe Shijakut, Rama tha se do të përzgjidhen “kandidatë që të përfaqësojnë komunitetet jo me flamur partiak, por me cilësi”.

“Janë zgjedhje të një natyre të veçantë dhe me peshë të veçantë, pasi jemi të sfiduar nga nevoja për jetësimin e një reforme historike, e cila na vendos përballë domosdoshmërisë së tranformimit të qeverisjes vendore. Formula e re që kemi përcaktuar nuk është një zgjidhje mekanike, por një zgjidhje që na çon drejt kandidatëve që të përfaqësojnë komunitetet jo me flamur partiak, por me cilësi. Kjo është një fushatë për qytetarët, për shërbimet ndaj tyre. Kemi hapur diskutimet me të gjitha partitë e tjera dhe do të punojmë me të njëjtën logjikë. Do të nisemi nga kandidatët dhe konsensusi në funksion të dhënies së më të mirës për qytetarët”, deklaroi Rama.

“Shpreh kënaqësinë për debatin konstruktiv që kemi patur deri tani. Shqetësimi ynë i përbashkët është që reforma historike administrativo-territoriale të kurorëzohet me sukses përmes zgjedhjes së administratorëve më të mirë. Prioriteti ynë është përzgjedhja e kandidatëve më të mirë. E theksoj se ka qenë një reformë madhore dhe vetëm përmes përzgjedhjes së më të mirëve, reforma do të japë menjëherë ndikimin për përmirësimin e jetës së qytetarëve”, tha Meta.
Në fund, kreu i Kuvendit tha se në datën 1 prill do të merret vesh lista e plotë e të gjithë kandidatëve./Top Channe/

Lajme të ngjashme

Back to top button