Sa para xhepi mjaftojnë realisht për një fëmijë

Në Gjermani ka diçka që nuk është rregulluar ende me ligj: paratë e xhepit për fëmijët. Sa para janë mjaft? Për këtë prindërit e vrasin mendjen shpesh. Sidoqoftë, këto para po bëhen gjithnjë e më shumë. Qoftë në mbledhjen e prindërve apo në forumet në internet, prindër të pasigurtë shfrytëzojnë çdo rast për të marë këshilla për temën “para xhepi” për fëmijët.

Edhe zyrat për rininë paraqesin çdo vit rekomandime. Kështu për shembull një fëmijë gjashtë vjeç rekomandohet të marrë çdo muaj rreth gjashtë euro, kurse një fëmijë 13 vjeç njëzet euro. Por realiteti tregon: prindërit sot u japin fëmijëve të tyre shumë më tepër para se sa rekomandojnë pedagogët.

Që prej më shumë se 20 vjetësh, shtëpia botuese Egmont Ehapa studion sjelljet e konsumatorëve të rinj. Botimi i fundit i “Analiza e fëmijëve konsumatorë” tani informon: shuma e parave të xhepit ka arritur nivel rekord.

Fëmijë, të moshës midis gjashtë dhe 13 vjet marrin mesatarisht 27,56 euro nga prindërit, kësaj i shtohen edhe dhuratat në para për ditë festash, datëlindjesh dhe në vizitat e të afërmve.

Tendencë për më shumë para xhepi

“Fëmijët gjermanë marrin dekadën e fundit si tendencë shumë më tepër para xhepi”, i thotë drejtuesi i studimit të shtëpisë botuese, Ralf Bauer Deutsche Welles. Kjo ka të bëjë nga njëra anë me rritjen ekonomike dhe me inflacionin, por nga ana tjetër ka të bëjë edhe me shtimin e bujarisë nga prindërit, veçanërisht në ato që quhen “Patchwork-Familje”, ku bashkëshortët sjellin në martesë fëmijë të lindur më parë, me partnerë të tjerë.

Në këto familje dyfish nuk është vetëm numri i prindërve, por atje dyfishohen edhe paratë e xhepit. Shumë udhëzues në internet mbrojnë interesa ekonomike. Prandaj edhe shuma e parave që pritet nga fëmijët rritet.

“Fëmijët janë zbuluar prej kohësh si grup konsumatorësh, shumë firma i shohin fëmijët si të tillë”, thotë Holger Ziegler, profesor i shkencës së edukimit në universitetin e Bielefeldit. “Natyrisht që ekzistojnë interesa financiare që fëmijët të marrin para dhe t’i shpenzojnë ato në mënyrë të pavarur.”

Liri e madhe për të vendosur

Në bazë të “Analizës së fëmijëve konsumatorë”, fëmijët i shpenzojnë “të ardhurat” e tyre para së gjithash për libra, revista, ushqim dhe pije. Shumica e fëmijëve (81 përqind e 6-13 vjeçarëve) kanë liri të madhe për të vendosur.

Për shumë degë të ekonomisë kemi të bëjmë me një fushë në zhvillim, e cila nuk duhet injoruar në asnjë mënyrë. Sepse në Gjermani, 5,9 milionë fëmijë kanë çdo vit më shumë se tre miliardë euro në xhep. Madje edhe më shumë se gjysma e fëmijëve në moshë parashkollore kanë para xhepi, mesatarisht 10,68 euro në muaj.

Dhe më shumë se gjysma e 6-13 vjeçarëve zgjedh në mënyrë shumë të ndërgjegjshme marka të caktuara në produkte si atlete, veshje dhe celularë. Por paratë e xhepit kanë natyrisht edhe shumë përparësi për fëmijët.

Kështu mendon pedagogu Ziegler, në parim është një gjë e mirë që fëmijët marrin para xhepi dhe që mësojnë si t’i përdorin paratë, si t’i ndajnë ato për qëllime të ndryshme dhe që t’i organizojnë vetë nevojat ose dëshirat vetjake.

“Fëmijët mund të ushtrohet që të vendosin vetë se për cilin nga interesat e tyre do t’i shpenzojnë paratë dhe për cilin jo. ” Kështu ata krijojnë një ndjesi për mungesën e parave. Edhe studime të tjera tërheqin vëmendjen që sa më shpejt të mësojnë fëmijët të kursejnë para, aq më i vogël është rreziku që më vonë, në moshë të rritur, të kthehen në njerëz me borxhe./ Deutsche Welle – Shqiptarja/

Lajme të ngjashme

Back to top button