Bora shkëputi sërish disa fshatra në Maqedoni

Reshjet e fundit të shiut dhe borës kanë bllokuar disa fshatra në vend, ndërsa janë përmbytur disa stalla dhe sipërfaqe bujqësore. Institucionet kompetente tashmë kanë dhënë rekomandimet e tyre për komunat që me kohë t’i marrin masat e duhura për t’u përballuar me motin e keq. Nga Qendra për menaxhimin e krizave thonë se gjendja më kritike sërish është në disa fshatra të Manastirit si dhe në rajonin e Resnjës dhe Demirhisarit.

“Në rajonin e fshatrave Loznani, Vasharejca, Noshpal, Mogila dhe Topollçani janë përmbytur diku prej 800 deri më 1000 hektarë sipërfaqe bujqësore. Ekziston mundësia e përkeqësimit të gjendjes së sipërfaqeve të përmbytura, sepse të reshurat ende vazhdojnë. Shkak për përmbytjet është rritja e nivelit të ujit në lumin Crna. Për shkak të përmbytjeve në ndërprerje është rruga Mogilla- Radobor. Gjithashtu ka derdhje edhe të kanalit në Galiçani, ndërsa rruga është e mbyllur për qarkullim. Në Demir Hisar për shkak të shkrirjes së borës, është derdhur lumi Crna te ura që çon drejtë fshatit Babino. Gjithashtu ka dalje të lumit Golema Reka te fshatrat Bela Crkva e Epërme dhe e Poshtme në Resnjë”, deklaroi Nadica Vçkova, zëdhënëse e QMK-së.

Të reshurat e reja të shiut dhe borës kanë shkaktuar probleme në akset rrugore në Maqedoni. Nga “Rrugët e Maqedonisë” thonë se gjatë tërë natës ekipet e tyre kanë intervenuar në Strazhë dhe në disa pika tjera kritike. Ndalesë për qarkullimin e automjeteve të rënda të transportit ka në disa akse rrugore.

“Aksi Mavrovë-Dibër, Gostivar- Mavrovë. Ndalesë për qarkullimin e automjeteve të rënda të transportit ka edhe në vendkalimin Deve Bair-Kriva Pallankë dhe në Qafthanë. Ndalesë për qarkullimin e automjeteve të rënda të transportit dhe autobusëve ka edhe në aksin rrugor Tetovë- Kodra e Diellit. Ndryshe, qarkullimi zhvillohet rregullisht pa ngecje më të mëdha dhe pavarësisht të kushteve dimërore dhe mbetjeve të borës në rrugë, megjithatë të gjitha akset rrugore në Maqedoni janë të kalueshme”, tha Ruska Haxhimitrova, “Rrugët e Maqedonisë”.

Nga Drejtoria e punëve hidrometeorologjike thonë se deri në mbarim të ditës do të ketë të reshura të shiut dhe borës. Të reshura më të mëdha ka pasur në Demir Kapi, Mavrovë, Dojran, Gjevgjeli, Manastir dhe Strumicë.

“Nga e diela pritet stabilizim gradual i motit, gjegjësisht do të kemi mot me vranësira dhe me të reshura lokale të shiut, ndërsa nëpër male të reshura të borës, por me intensitet më të dobët. Nga e hëna do të kemi rritje të temperaturës së ajrit, përveç në orët e mëngjesit ku në disa vende do të jetë freskët, ndërsa diku temperaturat do të bien edhe nën zero. Por, temperaturat e ditës do të jenë në rritje”, u shpreh Dushanka Tanushevska, sinoptike kujdestare.

Stabilizim i tërësishëm i motit pritet që nga mesi i javës së ardhshme./alsat-m

Lajme të ngjashme

Back to top button