Protesta për dëmshpërblimin, banorët e Nënshkodrës përplasen me policinë (VIDEO)

Ashtu siç kishin lajmëruar, banorët e Nënshkodres u rikthyen edhe këtë fundjavë në protestë, sërish në të njëjtin vend, e me të njëjtat kërkesa.

Mbledhja e tyre tek “Harku i Berdicës” rreth orës 10:00 shënoi nisjen e protestës në mënyrë të qetë, ndërsa policia mbikqyrte çdo veprim të banorëve.

Por momenti kur ata bllokuan rrugën Shkoder – Tiranë dhe atë në drejtim të Velipojës, nxehu gjakrat dhe shënoi përplasjen e tyre me uniformat blu.

Banorët e komunave të nënshkodres, me statusin e ish të përmbyturve, i kanë të qarta kërkesat që i drejtojnë qeverisë, duke kërkuar dëmshpërblimin për përmbytjet dhe korrektimin e faturave të tejfryra të energjisë. Reagimi i tyre këtë herë është më i ashpër, duke kërcënuar se Shkodra do të shënojë termet politik në 21 qershor.

Një prej banorëve drejton gishtin tek Lulzim Basha ish ministri i Brendshëm i qeverisë Berisha, sot kryetar i Partisë Demokratike. Sipas tij në atë kohë Basha e ka telefonuar duke i premtuar dëmshpërblim për bagëtitë e humbura.

Deri më sot qeveria shqiptare nuk i ka kthyer asnjë përgjigje banorëve të përmbytur gjatë viteve 2010 – 2011 dhe 2012 – 2013 në Nënshkoder, ndërsa dëmshpërblimi është kryer në masën 49%. Protestat e tyre do të vijojnë dhe cdo të shtune do të bllokojnë rrugët e Shkodres deri në zgjidhjen e kërkesave të tyre.

Protesta nisi në orën 10:00 dhe u mbyll në orën 10: 40

Lajme të ngjashme

Back to top button