Maqedoni, 7 marsi-mësimdhënësit ndjehen të nënçmuar

Me rastin e 7 marsit, ditës së mësuesit, mësimdhënësit ankohen për kushtet e mësimit si dhe ligjet dhe programet e reja që po hynë në fuqi kohëve të fundit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH).

Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë (LASH) të Kumanovës, Samet Jahiji bën të ditur se ky profesion në Maqedoni është tejet i nënçmuar.

“Sikur ti kishim punët mirë, nuk do të dilte asnjë problem në arsim në mediat tona. Po të bësh një dallim në mes problemeve në shkollat maqedonase dhe ato shqipe do të shihnit se sa shumë probleme ka në ato shqipe. Profesioni i mësuesit në të gjitha vendet është i shenjtë i respektuar dhe i vlerësuar kurse në Maqedoni, e sidomos për shqiptarët mund të them se është në nivelin më të ulët të mundshëm. Mësimdhënësit nuk përfillen nga askush, të drejtat e tyre vazhdojnë të shkelen me testime eksterne dhe akademi për mësues, të cilat e nënçmojnë tejmase këtë profesion”, tha për Portalb, Jahiji.

Ai thekson se përveç anës financiare, ku mësimdhënësit marrin paga të vogla, gjithashtu ata ballafaqohen ne probleme të shumta edhe në kushtet e zhvillimit të mësimit.

“Investimet që po bëhen janë qesharake. Nuk po them se projekti për kompjuter për secilin fëmijë është i dëmshëm, jo, por për të realizuar këtë projekt ky dikaster së pari duhet të krijojë kushte. Nxënësit kanë kompjuter kurse mësimdhënësit frikësohen se çatia do të ju shembet nga mos investimi dhe vjetërsimi i objekteve shkollore. Sa i përket të ardhmes unë nuk jam optimist, siç thonë dita e mirë shihet në mëngjes, e ne me mëngjes po e shohim se asgjë nuk do të bëhet”, shtoi Jahiji.

Ish ministri i Arsimit, Sulejman Rushiti shprehet optimist në këtë ditë të shenjtë për mësimin shqip, duke thënë se këtë gjendje latente, arsimi shqip do të gjejë forca ta anashkalojë.

“Arsimi në përgjithësi, në rrjedhën e tij ndër shekuj shpesh ka hasur në refuzim, ndëshkim dhe përndjekje. Edhe arsimin  shqip e ka ndjekur fati i njëjtë. 7 Marsi duhet të gjithëve të na kujtojë shkollat e para shqipe që kanë qenë të ekskominikuara, shantazhuara ndërsa mësuesit dhe mbështetësit e idesë së arsimimit shqip janë burgosur e vrarë. Nisur nga ky fakt historik dhe duke pasur parasysh edhe stigmatizinin, satanizimin dhe luftën kundër arsimit shqip edhe në shekullin 20, jam optimist se edhe këtë gjendje latente, arsimi shqip do të gjejë forca ta anashkalojë. Besoj thellë që thënia e iluministeve: vetëm dritë e diturisë përpara do të na shpjerë, jeton brenda pishtarëve të arsimit. Ata do të dinë ta mbrojnë atë. Arsimi ka nevoje të departizohet dhe të rivendosë, si kriteret e vlerave, ashtu edhe pasionin për të. Sakrifica shekullore e arsimdashësve duhet të jetë dritë drejt udhës se përndritjes duhet të shërbeje si korrektor!”, tha për Portalb, Rushiti.

Nga ana tjetër Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi premton investime dhe ndërtime të shkollave të reja në të ardhmen.

“Investimet në arsim, nuk ndalojnë sapo të jetë ndërtuar një godinë e re shkollore, nuk përfundojnë me rindërtimin e një shkolle. Investimi në arsim do të thotë ngritje e vazhdueshme e njohurive të  mësimdhënësve, ndjekje e trendeve globale, si dhe zbatimi i tyre në sistemin arsimor. Ne investojmë  dhe do të vazhdojmë me investime në arsimin në gjuhën amtare, në mënyrë që nxënësit tanë të jenë në nivel të barabartë me kolegët e tyre në botë”, tha Ademi.

Shkolla e Slivnikut përveç mugesës së hapësirave, tani nuk ka edhe lëndë djegëse

Mësimdhënësi i  shkolleës “Vasill Gllavinov” në Slivnik, Qemal Musa bën të ditur për Portalb, se ende nuk ka asgjë të re nga premtimi i më hershëm i ministrit Ademi lidhur me ndërtimin e një objekti të ri shkollor, ende mësojnë në tre ndërrime.

“Jemi në gjendje të mjerueshme, dëgjojmë vetëm fjale dhe premtime të rrejshme, u tha se deri në mars do të bëhet diçka do fillojnë punët për objektin e ri dhe ende s’ka asgjë. Përveç mungesës së hapësirës tani më tre vite ballafaqohemi edhe me mungesë të lëndëve djegëse ku vetë prindërit, banorët dhe ne mësimdhënësit e fshatit Slivnik japim të holla nga xhepi jonë për të siguruar drunj për ngrohje. Është turp që askush nuk të pyet se a keni drunj apo a ju nevojitet diçka”, tha Musa.

Ai shtoi se tani më 40 vite është mësimdhënës në këtë shkollë dhe thotë që asgjë nuk ka ndryshuar.

“Për 40 vite sa jam unë këtu mësimdhënës asgjë nuk ka ndryshuar. Numri i nxënësve vazhdon të shtohet, hapësirat nuk shtohen, përkundrazi ato vjetërsohen. Më herët së paku problemin e ngrohjes nuk e kishim. Nuk e di  se si do shkojnë punët më tutje por është turp që në këtë kohë të mësohet në këtë mënyrë. Si duket te ne është ndalur koha”, tha Musa.

Shkolla e Lubetenit ende në harresë

Shkolla “Liman Kaba” në fshatin Lubeten të Shkupit ende po ballafaqohet me problemet e njëjta, të mungesës së investimit dhe hapësirave.

Drejtori i kësaj shkolle, Xhezmi Abdyrrahmani thotë se ende nuk ka asgjë të re lidhur me projektin e tyre të cilin e kanë dorëzuar në MASH për zgjerimin e objektit shkollor.

“Ne projektin për mbindërtimin e objektit shkollor e kemi të gatshëm,e dërguam në MASH dhe i kërkuam ministrit takim po për momentin ishte i zënë dhe na tha se do të na kontaktojë. Duhet të vizitohet kjo shkollë e të shihet se ka nevojë për investim, dyshemeja është e vjetër, ka shumë punë për tu bërë”, shtoi Abdyrrahmani.

Lajme të ngjashme

Back to top button