Gëzuar ditëlindjen

Uroj të jesh i kënaqur me veten dhe me ata që mund të të ofrojnë kënaqësi. Të synosh më tepër por të vlerësosh atë që ke. Kështu njeriu mëson të çmojë dhuratat e kush di të çmojë dhe të jetë parimisht falemnderues atij Zoti i jep më shumë. Del që njeriu duhet të jetë falemnderues qoftë dhe për shkaqe egoiste, por vërtet mirënjohës janë ata që kanë shtytje të ndajnë me tjerët, që nuk mjaftohen të kenë veç për vete. Bukur jetojnë ata që kënaqen duke dhënë pasi sa më shumë jep aq më shumë të mbetet për të dhënë. Vlerat kanë aftësi imanente që të regjenerohen.

Uroj të zgjohesh herët në mëngjes, edhe atëherë kur nuk e ke patjetër, se kjo dëshmon energjinë, vullnetin, planet ditore…Nafaka shpërndahet në mëngjes, mirë e thonë librat e shenjtë. Dhe vërtet dita e mirë njihet që në mëngjes. Nëse posa hap sytë je në disponim të ngritesh me hap të lehtë, ashtu do ngjyrosësh mandej gjatë ditës raportin me veten, me tjerët si edhe ajrin përreth. Mëngjeset janë indikatorë.

Vazhdo të jesh hajgarexhi si deri më tash, aftësia për të gjetur anën qesharake dëshmon për situatën mentale. Bile edhe situatat dhe pohimet serioze më gjatë mbahen mend kur kanë diçka anegdotike. Nëse arrijmë të qeshemi me sfidat, më kollaj përballemi dhe gjejmë rrugica shpëtuese. Të qeshurit, si edhe çdo shprehi tjetër e mirë, mund të trajnohet. Fillimisht mjafton që të zgjedhim shoqërinë e atyre që energjetikisht na konvenojnë dhe të anashkalojmë, sa herë që të jetë e mundur, fytyrat namqore, kurse kur detyrohemi të qëndrojmë afër tyre të ushtrohemi ti shikojmë si film pa zë. Prej teje kam mësuar që njerëzit e lodhshëm duhet ti shikojmë si sekuencë filmi. Apo teatër absurdi.

Uroj edhe më tutje të jesh reper se mundemi shumë nëse duam diçka fuqishëm, nëse e bëjmë me qejf, kurse e arritura më e vlefshme është ajo ku mbërrijmë vetë. Prandaj ti nuk njeh xhelozinë, atë ndjenjë cfilitëse që nuk çon askund, si qorrsokak. Xhelozia reflekton paaftësinë dhe zakonisht haset tek ata që ose rastësisht janë katapultuar nëpër maja ose thjesht nuk e jetojnë jetën që e duan. Vazhdo të ecësh autostradës së sovranëve që kënaqen me punën e vet po aq sa edhe me sukseset e tjerëve, ti s’je për rrugën tjetër me kallaballëk ku njerëzit shtyhen, shtyhen me bërryla duke krijuar hapësirë për vete, me atë ngërçin tipik të të dobëtit.

Vazhdo të ëndërrosh se nuk plaken ata që ëndërrojnë syhapur. Por ndërkohë mësohu të kënaqesh pa kushte, ti gëzohesh momentit, se kur kthehemi pas dhe rekapitulojmë, ajo çka mbetet nuk janë as sukseset, as shifrat, por vetëm çastet. Edhe periudhat e bukura i mbajmë mend vetëm si varg momentesh.

Vazhdo të mbash gjallë pjesën fëmijërore, atë ishull virgjërie. Gjyshja thoshte se nuk mund të gëzohesh si duhet dhe asgjë nuk të duket mirë sa duhet nëse nuk ke “lodra në bark”.

Uroj të kesh shpesh dikë për ta dashuruar. Inspirim i fuqishëm të jesh varianti më i mirë i vetes, të jesh në shërbim të lumturisë së dikujt. Kjo i mpreh shqisat. Dhe të mban zgjuar.

Kështu vitet kalojnë, ti mbetesh i ri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. E nderuar, po te them edhe, e dashur Lindite…nuk e di nese nuk ke shkruar gjate kohe, apo une nuk jam gjindur neper keto faqe te portalbit?! Me rendesi eshte qe une iu ktheva te lexuarit e perjetimeve, rrjeshtave tuaja…me kane munguar! Thjeshte, per thjeshtesine e tyre, per fjalorin tend te kendshem dhe menyren e qasjes tuaj per te pershkruar diçka, dike, apo edhe per te komunikuar diçka, apo me dike. Une te quajta e dashur, sepse me shkrimet tuaja, te kam si nje shoqe…thjesht kenaqem! Edhe pse nuk njihemi…Vazhdo te shkruash, g

Back to top button