Vazhdon unifikimi i teksteve shkollore Shqipëri-Kosovë

Këtë vit të ri shkollor pritet që nxënësit e klasave të para dhe të gjashta në Shqipëri dhe Kosovë të mësojnë me të njëjtat tekste.

Në strategjinë e arsimit parauniversitar parashikohet që të shkohet drejt një teksti bazë, çka do të thotë që numri i alternativave për një lëndë do të vijë duke u ulur ndjeshëm.

“Siç ishte modeli i abetares, që ka qenë abetare kombëtare, të shkojë edhe kjo në nivele kombëtare dhe kjo besoj rregullon shumë mirë edhe marrëdhënien dhe standardin.

Në konkurrencën që kanë midis teksteve nuk do të kemi më shumë se sa dy tekste, për ato që janë të ndërmjetme, ndërsa ato tekste që do të vijnë të huazuara, të marra nga jashtë, do të jetë vetëm një tekst. Edhe ato që do të jenë tekste kombëtare do të realizohet mundësia që të jetë vetëm një tekst”, tha zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj.

Strategjia për arsimin parauniversitar evidenton të gjitha problemet themelore të arsimit, ku duhet të ndërhyhet menjëherë. Niveli i nxënësve shqiptarë është më i ulët se mesatarja e shumë vendeve që morën pjesë në vlerësimin ndërkombëtar të PISAS. Tekstet janë shumë të mbingarkuara dhe nxënësit nuk arrijnë siç duhet procesin e të nxënit dhe një pjesë e mësuesve rezultojnë të papërgatitur me metodat e reja të mësimdhënies.

“Ka kohë që po diskutohet për kualifikimin e mësuesve dhe për hir të së vërtetës, thembra e Akilit në sistemin e arsimit parauniversitar është cedimi në kualifikimin e mësuesve. Stop kurseve private në shkolla. Nëse do të kapim rastin e një mësuesi që bën kurse private do të iket nga sistemi i arsimit”, tha Malaj. Zbatimi i kësaj strategjie do të shoqërohet edhe me një faturë të lartë financiare.

Lajme të ngjashme

Back to top button