Shkupi i gatshëm për ambasadë të Izraelit

Marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi ekonomik kanë qenë në fokusin e takimit të sotëm në Shkup të ministrit të Punëve të Jashtme Nikolla Poposki, me ambasadorin jorezident të Izraelit për Maqedoninë, me seli në Zagreb, Josi Amrani.

Siç kumtoi MPJ-ja, në takim u shpreh kënaqësia nga trendi i jashtëzakonshëm pozitiv dhe i suksesshëm i marrëdhënieve bilaterale në mes dy vendeve, të cilat karakterizojnë “miqësinë e ndërsjellë, respektin e ndërsjellë dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, si dhe realizimin gjithnjë e më intensiv të vizitave të nivelit të lartë dhe më të lartë në periudhën e fundit”.

“Vëmendje e posaçme iu kushtua bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimit tregtar dhe tërheqjes së investimeve izraelite në Republikën e Maqedonisë, me ç’rast u theksua nevoja për vizita më të shpeshta të biznesmenëve izraelitë të Republikës së Maqedonisë  dhe shfrytëzimin e mundësive për investim në shtet. Gjithashtu u theksua interesi ynë për hapjen e ambasadës së Izraelit në Republikën e Maqedonisë, me çka do t’u jepet impuls i ri marrëdhënieve të ndërsjella”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Ata kanë konstatuar bashkërisht bashkëpunim të shkëlqyer në planin multilateral, si dhe mirëkuptim të ndërsjellë dhe afërsi në pikëpamjet  në çështjet e caktuara nga interesi i ndërsjellë.

Lajme të ngjashme

Back to top button