Zbardhen replikat e Berishës në Facebook

Përgjigjet e Kryeministrit me anëtarët e faqes: Unë nuk heq dorë kurrë nga të vërtetat.  Shtëpia e Ushtrisë do vendoset në një godinë të re 7-katëshe.

Kryeministri Sali Berisha u ka dhënë dje përgjigje për herë të parë në Facebook shqetësimeve apo akuzave të qytetarëve lidhur me temat e nxehta të politikës. “Panorama” zbardh disa nga replikat më interesante të kreut të qeverisë për debatin e Shtëpisë së Ushtrisë apo dhe debatin e acaruar mes PD-së e PS-së. Berisha thekson se Shtëpia e re e Ushtrisë do të spostohet në një godinë 7-katëshe, dhe se ka qenë propozim i Ministrisë së Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm, largimi nga godina aktuale.

REPLIKAT NË FACEBOOK

Aleko Bedini:
Siç ka PS një godinë të mirë, ashtu duhet të ketë dhe PD. Por mendoj se mund të gjendej një objekt tjetër dhe jo Shtëpia Qendrore e Ushtrisë. Edhe nga diktatura mund të ruhen objekte historike. Jeta vazhdon. Brezat që do vijnë, mund të jenë të interesuar për këtë periudhë, sepse është pjesë e historisë së popullit shqiptar më të mirat dhe të këqijat, siç është brezi i sotëm i interesuar për të kaluarën tonë. Këtu në Amerikë ka dhjetëra muzeume armësh dhe avionësh në kohë të ndryshme. Edhe te ne duhet të këtë të tilla. Megjithatë, keqardhje nëse ajo Shtëpi përdoret vetëm për dasma dhe zijafete, siç thotë Kryeministri.

Sali Berisha: Z.Bedini, faleminderit për komentin, por dua të theksoj se prej 12 vitesh Shtëpia Qendrore e Ushtrisë kishte humbur funksionet e saja. Ajo ishte shndërruar në një lokal të rëndomtë dasmash, zijafetesh dhe ceremonish mortore. Pikërisht për këto arsye, vite më parë është vendosur nga qeveria, por me kërkesë dhe propozim të Ministrisë së Mbrojtjes, shefit të Shtabit të Përgjithshëm, që Shtëpia Qendrore e Ushtrisë të kalonte në një ndërtesë tjetër 7-katëshe. Projekti i rindërtimit të kësaj ndërtese është bërë nga një arkitekt italian shumë i njohur në botë, që ka rikonstruktuar ndërtesa shumë të veçanta në Paris. Për rindërtimin e kësaj ndërtese janë investuar mbi 140 milionë lekë dhe ajo aktualisht, në çdo aspekt, është një nga qendrat më moderne në mos më modernia në vend, me salla, mjedise dhe pajisje të teknologjisë më të lartë. Pra, investimet për të gjitha këto nuk janë bërë për arsye tjetër, veçse për faktin se SHQUP-i nuk plotësonte kushtet për destinacionin e saj. Reagimi i Piktorit, i cili në planin francez vetë kishte planifikuar funksione dhe pronësi jo ushtarake për ndërtesën, ndaj vendimit të qeverisë për ta kaluar në përdorim të PD, është dëshmi e urrejtjes së tij primitive të trashëguar ndaj partisë kundërshtare. Aktualisht, selia e PS ka hapësira dhe sipërfaqe ndërtimi rreth 4 herë më të madhe sesa selia e PD. Me reagimin e tij, Piktori dëshmoi se është urrejtja e trashëguar ndaj kundërshtarit, ajo për të cilën ai i gëzohet pushtetit.

Mjeshtër Trruri: O zoti Berisha, kam pasur dhe kam respekt për ju. Hiq dorë nga kjo metodë opozite me bllokmenë etj. Nuk ngjit më te njerëzit kjo metodë. Nuk e di kush ju këshillon, por të siguroj që je gabim. Njerëzit janë shumë të acaruar me PD-në dhe kjo do ua hapë rrugën për 8 vjet këtyre të PS-së që të bëjnë ç’i do qejfi. Po vazhduat me këtë metodë opozite, të siguroj që PD nuk vjen për 12 vjet në pushtet.

Sali Berisha: Z.Mjeshtër, unë nuk heq dorë kurrë nga të vërtetat. Në rast se ju mendoni se ata nuk janë neobllokmenë dhe këtë urrejtje që shfaqin që në ditët e para ndaj forcës kundërshtare, ajo është e drejta juaj. Njerëzit qëndrimin e tyre ndaj PD e shprehën, por ata që mendojnë se tani është revanshi që duhet ndërmarrë kundër saj, gabojnë rëndë dhe shumë rëndë. Ata që votën e lexojnë si të drejtë revanshi, gabojnë rëndë. Zotëri, ju dhe askush nuk mund të mohojë premtimet antiglobaliste, paratë e pista dhe terrorin psikologjik që u përdor për marrjen e votave. Pikërisht për të mbuluar këto fakte. Piktorit i duhet urrejtja, revanshi ndaj partisë kundërshtare. Prej dy javësh, qytetarët çdo ditë përjetojnë sulme, trillime, shpifje ndaj PD për fajin e vetëm se po merr në përdorim si seli një ndërtesë pothuaj të braktisur të ushtrisë. Unë mendoj z. Mjeshtër, se pikërisht ky revansh e kjo urrejtje ndaj partisë kundërshtare nga ana e Piktorit dhe bashkëpunëtorëve të tij duhet të jetë dhe shqetësimi ynë kryesor.

Andrea Miskou: Merrni pushkët dhe mbrojeni. Çudia shqiptare, po merreni me Piktorin që s’është bërë akoma Kryeministër, durim, ta provojmë një herë. Vendi me i varfër në Europë jemi, për çfarë do flasim, për sukseset e partisë.

Sali Berisha: Z. Andrea Miskou, një fjalë e urtë thotë fshati që duket nuk ka nevojë për kallauz. Nuk jemi ne, por është vetë piktori dhe neobllokmenët e tjerë qe merren çdo ditë me një urrejtje të papërmbajtur, me një ndërtesë e cila prej 12 vitesh përdorej për dasma dhe ceremoni mortore dhe që qeveria vendosi të ia japë në përdorim për seli PD. Por, nga ana tjetër, me këtë zhurmë armiqësore ndaj PD, Piktori mendon se mund të largojë mendjen e qytetarëve nga premtimet e tij antiglobaliste, si shërbimi shëndetësor falas pa kontribute shëndetësore, ulja e taksave për 95% të shqiptarëve, ulja e çmimeve, heqja e TVSH për energjinë, ushqimet, ilaçet etj etj. Me këto premtime, Piktori mori votat e shqiptarëve dhe, pa filluar punë, po i mohon ato. Por një komb nuk do pranojë kurrë mashtrimin, shqiptarët do të reagojnë njëlloj si kombet e tjera të qytetëruara.

Saba Aga: Rama mos është zgjedhur kryetar Bashkie në Vlorë, se vetëm për Vlorën flet.

Sali Berisha: Zoti Aga, në Vlorë po zhvillohet një nga betejat më të egra brenda llojit, mbasi zotërimi i brigjeve të Vlorës nga dyshja Rama- Kokëdhima është thelbi i të gjitha zhvillimeve në këtë qark. Po të jetë çështja për rrënim, Himarën më shumë se çdo gjë tjetër e kanë rrënue pallatet e Koços, i cili tani po ndërton edhe në lagunën e Qeparoit një kështjellë të vërtetë, në kundërshtim me çdo rregull dhe në një zonë ku janë të ndaluara ndërtimet.

Nina Kalefi: Populli për 4 vjet vuan varfërinë dhe nuk flet, por flet kur vjen dita. Mos merr inat Edi Ramën, por shkundu kur je bërë pis. Pasardhësi juaj do provohet si do punojë.

Sali Berisha: Zj.Nina, Piktori është shumë i provuar, fillimisht si ministër i F.Nanos, të cilit shoqëria civile, opozita dhe vetë ministra të PS, konkretisht zj.Dade, i kanë dorëzuar jo një, por disa dosje në Prokurori për korrupsion. Piktori është i provuar si kryetar Bashkie i Tiranës, ku 80% të lejeve të ndërtimit ua jepte dy sekserëve të tij, Alban Eftimit dhe Artan Shkrelit, për çka është dërguar në Prokurori. Piktorin gjithë Tirana e njeh si Mr. 20% dhe, së fundi, ai është Kryeministri i vetëm në historinë e Shqipërisë, Ballkanit dhe Europës, që ulet në karrigen e Kryeministrit me një vilë dhe një pallat 5-katësh të ndërtuar pa treguar origjinën e parave me të cilat janë ndërtuar. Për sa i përket Sali Berishës, as ju, as Piktori juaj dhe asnjeri i sojit tuaj, në 23 vjet, nuk keni gjetur dhe kurrë nuk do të gjeni asgjë tjetër përveç shpifjeve, trillimeve të ulëta, dëshmi e amoralitetit total.

Lajme të ngjashme

Back to top button