Letër e Hapur: Të shkarkohet Avokati i Popullit Ixhet Mehmeti

Lëvizja EcoGuerilla përmes një letre deri tek deputetët e vendit kanë kërkuar që të shkarkohet avokati i popullit Ixhet Mehmeti

TË SHKARKOHET AVOKATI I POPULLIT, z. IXHET MEHMETI

Pas publikimit të aferës së përgjimeve masive të qytetarëve nga ana e MPB-së, të cilat i publikoi lideri i opozitës, reagoi Avokati i Popullit Ixhet Mehmeti. Kur të gjithë kishin harruar se ekziston një institucion i këtillë, ky njeri doli dhe reagoi.

Ajo që me dëshirojmë të nënvizojmë në këtë letër publike është heshtja e tij e gjatë dhe e çuditshme përballë helmimit të mbi 300 mijë banorëve të Tetovës dhe rajonit të Pollogut në përgjithësi.

Anëtarë të Lëvizjes EcoGuerilla kanë kontaktuar dhe propozuar disa herë që çështja e helmimit të Tetovës të procesuohet edhe nëpërmjet mekanizmave dhe fuqisë së institucionit Avokat i Popullit. Ishim optimistë se një gjë e tillë do të aktivizojë z.Mehmeti, pasi edhe ai banon në Tetovë dhe bashkë me familjen e tij i është eksponuar këtij helmimi masiv. Menduam se do ta mirëpresë partneritetin me ne si Lëvizje, me qëllim që të detyrohet fabrika e Jugohromit të vendosë filtra, me ç’rast do të zgjidhej ky problem që rrezikon jetët e mbi 300 mijë banorëve.

Duke marrë parasysh se numri i të sëmurëve nga kanceri në Tetovë është rritur për rreth 80 për qind në tri vitet e fundit, se sëmundjet organeve të frymëmarrjes janë shkaktarë kryesorë të vdekshmërisë së fëmijëve të moshës shkollore, se numri rekord i të sëmurëve nga gripi shkakton komplikime tjera shumë fatale për tetovarët, dhe në planin afatgjatë ky helmim mbjell kancerin në gjenet tona e që do të prekin gjeneratat që vijnë pas nesh, menduam se z.Mehmeti do të angazhohet së pari si prind, si banorë i Tetovës dhe si Avokat i Popullit që të japë kontribut në drejtim të zgjidhjes.

Por, njëjtë si ish-ministrat e ekologjisë që vinin nga Tetova, njëjtë si ministri aktual me banim poashtu në rrethinë të Tetovës, njëjtë si deputetët dhe funksionarët tjerë të këtij rajoni të prekur nga helmimi masiv, edhe z.Mehmeti zgjodhi rrugën e rehatisë dhe konformizmit për t’iu përgjigjur protestave tona si qytetarë.

U njoftojmë publikisht se listës së përgjegjësve të helmimit të tetovarëve i është shtuar edhe një emër – Ixhet Mehmeti. Edhe ju do të jeni përgjegjës për çdo vdekje të shkaktuar nga kanceri, për çdo komplikim shtatzënie dhe aborti, për çdo astmë apo sëmundje tjetër të shkaktuar nga helmi i Jugohromit.

Qëndrimi këmbëkryq në krye të institucionit Avokat i Popullit do të marrë përgjigjen e duhur nga populli i helmuar i Tetovës, njëjtë siç do ta marrin edhe funksionarët tjerë përgjegjës.

Vënia juaj në shërbim të qeverisë, në vend se t’i shërbeni popullit, do t’iu vendosë në faqet e errëta të historisë së Maqedonisë pluraliste.

Andaj, duke u bazuar në Nenin 9, paragrafi 5 të Ligjit për Avokat të Popullit, ne si Lëvizje u kërkojmë deputetëve të iniciojnë shkarkim të z.Mehmeti nga detyra për shkak të “kryerjes së detyrës në mënyrë joprofesionale, të njëanshme dhe të pandërgjegjshme”.

Mbase keni haruar, por ne publikisht t’ua përkujtojmë obligimet tuaja kushtetuese që dalin nga Neni 77, i cili ju obligon që “të mbroni të drejtat kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve, kur ato u cenohen nga organet e administratës shtetërore dhe nga organet apo organizatat tjera që kanë autorizime publike…”.

Është e patolerueshme që Tetova të renditet e treta në Botë për nga ndotja, a ju të silleni sikur është e treta për kualitetin e mollëve apo groshës.

Poashtu, ua përkujtojmë se bashkëqytetarëve tuaj nga Tetova u shkelet e drejta që buron nga Neni 43 nga Kushtetuta, i cili thotë: ” Secili ka të drejtë për mjedis të shëndosh jetësor. Secili është i obliguar ta përparojë dhe ta mbrojë mjedisin jetësor dhe natyrën. Republika siguron kushte për realizimin e të drejtës së shtetasve për mjedis të shëndoshë jetësor.”

Në fund, dëshirojmë t’ia përkujtojmë qeverisë se lejimi i këtij ndotësi të punojë pa filtra në të ardhmen do ta kuptojmë si një tendencë të qëllimshme për helmimin e qytetarëve të këtij rajoni.

Lajme të ngjashme

Back to top button